Site icon PrishtinaPress

Shala: Dialogu i paqartë, Serbia mund t’i keqpërdorë bisedimet teknike

Blerim Shala – këshilltari politik i Presidentit, Hashim Thaçi, ka thënë se pas 20 vjetësh negociata me Serbinë, tani do të duhej të ishim në fund të procesit të dialogut, por se ky proces ka rifilluar me një koncept të paqartë dhe me tema të cilat janë diskutuar me vite.

Shala ka thënë se Serbia mund t’i keqpërdorë bisedimet teknike.

“Në një mënyrë është me rëndësi që ka rifilluar dialogu, sepse për herë të parë, prej se zhvillohen bisedimet mes autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, në 20 muajt e fundit kemi qenë pak a shumë ne përgjegjës përse nuk ka dialog, arsyet kanë qenë të shumta ne i dimë, prandaj me rëndësi është që jemi kthyer në tavolinë të bisedimeve”.

“Jemi kthyer në rrethana shumë të vështirësuara dhe në anën tjetër me një koncept që për ne është ende i paqartë, jo vetëm për zyrën e presidentit, por edhe për mua personalisht, sepse idenë që të fillohet me disa tema konkrete që mund të jenë elemente të një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk po e mohojmë, por realisht në parim ne po flasim mbi 22 vite me Serbinë, ne nuk mund të rinisim duke thënë të merremi me të pa gjeturit, të merremi me të zhvendosurit dhe temat ekonomike”.

“22 vite nënkupton një lloj maratone negociatore, ne jemi në 500 metrat e fundit të kësaj maratone, tash nuk mund të themi kthehuni se i kemi bërë disa gabime në matjen e vrapit dhe duhet të kthehemi në pikën zero, ose në kilometrin e njëzetë, jemi kah fundi dhe të dy shoqëritë janë të lodhura, nuk ka atmosferë të mrekullueshme për ta bërë marrëveshjen, por nuk kemi opsione të tjera”, tha ai.

Sipas Shalës, tashmë janë harxhuar idetë e mira dhe se tash ndodhemi para ideve të domosdoshme dhe domosdoshmëria nënkupton njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe hyrje në një fazë që do të nënkuptonte pajtim mes dy popujve.

“Ne i kemi harxhuar idetë e mira, tash jemi para ideve të domosdoshme dhe domosdoshmëria nënkupton njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe hyrje në një fazë që do të nënkuptonte pajtim mes dy popujve për një të ardhme mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Nuk kemi më llogari, as kohë që Kosova të humbë në këto bisedime teknike që mund të keqpërdoren nga Serbia, t’i hapë kapituj të ri në përpjekje për tu anëtarësuar në BE derisa ne ende nuk e kemi liberalizimin e vizave”.

Ish-anëtari i delegacioneve shtetërore të dialogut, shtoi se ndonëse ka pasur tendencë të thuhet se ka tema për të cilat nuk është folur, në realitet nuk ka asnjë temë për të cilën tashmë nuk është diskutuar me Serbinë.

“Të gjitha temat që janë rihapur tash, janë adresuar më parë me kohë, ka pasur përpjekje për ta mohuar se kemi folur për të pagjeturit, është folur vazhdimisht për të pagjeturit dhe ka pasur një dakordim se çka të bëjmë me këtë temë. Në Rambuje, në Vjenë, në Bruksel, nuk ka temë për të cilën nuk është folur.”

Exit mobile version