Site icon PrishtinaPress

Shahini: Kompanitë kosovare kanë filluar të investojnë në veri, integrimi bëhet përmes bizneseve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë për Ekonomia Online se bizneset kosovare kanë filluar të investojnë në veri, sidomos pas prezencës së shtuar të organeve të rendit.

Shahini ka deklaruar se brende të fuqishme të Kosovës kanë filluar të blejnë prona private por edhe përmes privatizimit. Integrimin e veriut, Shahini e sheh përmes ekonomisë.

“Tashmë bizneset e Kosovës kanë filluar të investojnë në veri sepse AKB-ja gjithmonë ka thënë që integrimi i veriut bëhet përmes bizneseve dhe kjo tash ka filluar të ndodhë pas rrënimit të disa strukturave paralele serbe atje, e sidomos pas 24 shtatorit të vitit të kaluar kur Policia e Kosovës është tashmë aktive dhe pothuajse ka nën kontroll gjithçka. Tash është një mundësi e re e investimeve në veriun e vendit, bizneset e Kosovës tash kanë filluar të blejnë prona atje, qoftë private apo edhe përmes procesit të privatizimit, por së shpejti atje do të ketë disa biznese, brende të fuqishme të Kosovës të cilët do të operojnë edhe në gastronomi, hotelieri, shitje me pakicë e me pika të karburanteve”, ka thënë Shahini.

Kreu i AKB-së ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucione të sigurisë për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm të bizneseve.

“Kjo nuk është informatë, është realitet që po ndodh në terren. Edhe me ministrin e Punëve të Brendshme (Xhelal Sveçla) jemi në komunikim të vazhdueshëm, kemi memorandum bashkëpunimi për të bërë një veprim të tillë dhe tashmë bizneset e kanë orientim, një mundësi të re dhe kjo mundësi e re do të jetë veriu i Kosovës për të zhvilluar bizneset e për të blerë prona”, u shpreh ai.

Exit mobile version