Drejtori i Qendrës Studentore, Fatmir Sfishta ka folur për gjendjen në konviktet e studentëve në prag të mbylljes së karantinës.
Sfishta në RTV Dukagjini thotë se në Qendrën e Studentëve ende janë të karantinuar 125 persona që sipas tij gjatë javës do të testohen dhe lirohen varësisht nga koha kur janë vendosur.
Ai thotë se personat e karantinuar kanë shkaktuar disa dëmtime në objekt por me kohë do të sanohen dhe konviktet do të jenë gati për studentët në muajin tetor, përcjell Telegrafi.
Drejtori i Qendrës Studentore thotë se policia e Kosovës do të merret me çdo rast që pretendohet nga studentët për mungesë apo dëmtim të gjësendeve personale.
Sfishta duke folur për rastet me COVID-19 të dala nga qendra e karantinës thotë se në bazë të informacioneve janë gjashtë raste që kanë dalë nga Qendra e Studentëve.
“Studentët nuk kanë nevojë të frikësohen. Hapësirat dezinfektohen në baza ditore. Nuk ka asnjë hapësirë për brengosje nga studentët dhe familjarët e tyre se ata mund të infektohen në konvikte kur të kthehen në tetor”, deklaroi ndër të tjera Fatmir Sfishta.