Njohësi i rrethanave politike në Ballkan, Daniel Serwer, ka folur për zhvillimet e djeshme në veri të Kosovës dhe reagimin e ShBA-së në lidhje me këto zhvillime.
Ai është shprehur se Kurti është liberal demokrat që s’bën kompromise dhe që sipas tij, beson në të drejta të barabarta sipas ligjit.
“Kurti e ka logjikën, por a ka kapacitete? Nuk jam i informuar për mendimin aktual të kryeministrit Kurti për çështjen specifike të kryetarëve të komunave. Por, ai është një liberal demokrat që nuk bën kompromise, që beson në të drejta të barabarta sipas ligjit. Ai është gjithashtu ajo që unë do ta quaja një “sovranist”. Kurti beson se Kosova është dhe duhet të veprojë si një shtet sovran. Këto dy karakteristika e bëjnë vendosjen e kryetarëve të bashkive një lëvizje logjike”, është shprehur ai.
“Megjithatë, logjika e vetme nuk mund të diktojë politikën. Kapacitetet gjithashtu kanë rëndësi. Ai është i kufizuar në dy mënyra: Kosova ka forca të kufizuara policore në dispozicion për t’u marrë me dhunën serbe kundër kryetarëve të komunave dhe padyshim që ka shumë të kufizuar mbështetjen ndërkombëtare për instalimin e tyre. Një vend i vogël si Kosova nuk mund të përballojë të veprojë pa vetëdije për kufizimet e veta”, është shprehur ai.
Tutje, Serwer është shprehur se Amerika ka kapacitet, por, sipas tij, i mungon logjika.
“Amerikanët mund ta vështirësojnë jetën e Kurtit. Por, pozicionit të tyre i mungon logjika. Si i mbështesni zgjedhjet dhe jo rezultatet e tyre legjitime? Si i përkrahni të drejtat e barabarta, por si e kundërshtoni vendosjen e zyrtarëve të zgjedhur për shkak të përkatësisë së tyre etnike? Si e dënoni veprimin e policisë për të mbrojtur kryetarët e zgjedhur, por jo rebelët që i sulmuan?”
“Si pretendoni se marrëveshja e normalizimit, e cila përfshin një zotim për të mos përdorur forcën ushtarake, është ligjërisht e detyrueshme, por nuk e pengon mobilizimin serb të forcave të saj të armatosura në përgjigje të një konflikti politik brenda Kosovës? Shtetet e Bashkuara pretendojnë se mbështesin të drejta të barabarta dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve ekzistuese në Ballkan. Duhet nxjerrë përfundime logjike”, thuhet tutje në shkrimin e tij.