-0.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Serwer: Ka presione ruse dhe kemi parë një sërë sulmesh kundër Kosovës, por nuk dua të zhytem në spekulime

Njohësi i zhvillimeve në Ballkan, profesori amerikan Daniel Serwer, e cilësoi sulmin terrorist në kanalin e ujit në Ibër Lepenc si një akt të tmerrshëm që ka mundur të ketë ndikime të mëdha në cilësinë e jetës për popullatën në Kosovë.

“Është një akt i tmerrshëm. Sigurisht se do të ndikonte në cilësinë e jetës për një numër të madh të popullatës për një kohë mjaft të gjatë. Por nga Uashingtoni e kam të pamundur ta dijë se kush e ka bërë, më mirë sesa në Beograd e as në Prishtinë. Dhe më duket që asnjëra palë nuk i ka provat e qarta se çfarë ka ndodhur saktësisht”, tha Serwer për RTK.

Në lidhje me mundësinë e infiltrimit të elementeve ruse në organizimin e sulmit, Serwer e cilësoi këtë si një hipotezë të mundshme, por theksoi se pa fakte konkrete nuk mund të jepen përfundime të sakta.

Kur u pyet për akuzat e qeverisë së Kosovës ndaj Beogradit, ai theksoi se është ende e vështirë të përcaktohet se kush qëndron prapa sulmit.

“Në këtë moment është vështirë të përcaktohet kush është sulmuesi apo kryerësit e mundshëm të incidentit të fundit. Nuk dua të zhytem në spekulime të padobishme. Sigurisht se Beogradi e ka mohuar, e madje e ka akuzuar edhe Prishtinën. Kjo është situata ku kemi dy kryeqytete të cilat kanë marrëdhënie jofqinjësore. Sigurisht se do ta akuzojnë njëri-tjetrin dhe do të mohojnë njohurinë për një rast të tillë dhe prandaj na duhen prova të prekshme. Shpresoj që autoritetet në Kosovë, ato gjyqësore e ligjzbatuese do të prezantojnë prova të prekshme shumë shpejt”.

”E kam thënë shumë herë ka disa incidente që kanë ndodhur gjatë vitit të fundit dhe të gjitha këto më thonë mua se Beogradi është angazhuar në një përpjekje gjithëpërfshirëse për ta destabilizuar Kosovën përmes veriut. Sigurisht se BE dhe SHBA do të duhej të kishin reaguar ndaj këtyre incidenteve. Unë besoj se ka qenë gabim i stërmadh që këto incidente të mbesin të padënuara ashtu siç do të duhej. Sulmet e tilla janë qartësisht të nxituara, të përkrahura e planifikuara në Beograd, duke përfshirë rrëmbimin e policëve, pastaj sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it por edhe sulmi në Banjskë, por siç e thash, nuk kam se si ta dijë, sidomos për këtë incidentin e fundit, nëse është si ata të tjerët i planifikuar në Beograd, apo mund të jetë pasojë e ndokujt tjetër, përfshirë këtu edhe forca ruse. Gjithsesi duhet të presim për prova”, shtoi ai.

Në lidhje me atë nëse ka ardhur koha që Forca e Sigurisë e Kosovës të operojë edhe në veri, Serwer tha se ka ca hezitime rreth zbarkimit të saj në veri.

“Ekziston një problem kur ka dy ushtri të ndryshme në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Forcat e NATO-s nuk duan një ushtri të dytë në veri dhe këtë mund ta kuptoj. Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk janë plotësisht apo tërësisht të gatshme që ta mbrojnë Kosovën, e sidomos në veri. Unë do të kisha ca hezitime në kuptimin e zbarkimit të tyre në veri dhe sigurisht se do të vijë koha, por koha do të vijë. Kur NATO-ja të tërhiqet, pastaj FSK-ja do ta kenë lirinë e plotë të vendoset kudoqoftë, përfshirë edhe veriun”, tha profesori amerikan.

Ai ka vënë në pah një çështje, që sipas tij është shumë më e rëndësishme se sa operimi i FSK-së në veri.

“Unë do të kërkoja nga NATO-ja tërheqjen e forcave serbe nga kufiri me Kosovën. Kjo për mua do të duhej të ishte qasja e duhur sa i përket situatës aktuale”, nënvizoi Serwer.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Serwer shprehu dyshime për mundësitë e përparimit në të ardhmen e afërt. Ai e cilësoi dialogun aktual si një lloj “dialogu teknik”, i cili ka dështuar të sjellë rezultate konkrete për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2013.

“Sigurisht se dialogu mund të bëhet në çfarëdolloj kushtesh, por kushtet aktualisht janë goxha të rënda dhe nuk pres ndonjë rezultat të madh. Ka një administratë amerikane që pritet të vijë në janar, pastaj edhe këta të rinjtë që kanë ardhur në BE. Më duket që në situatën aktuale ajo që mund të shpresohet nga dialogu para fillimit të vitit të ardhshëm është që njerëzit të flasin në mënyrë të sinqertë me njëri-tjetrin duke u përpjekur për të ulur temperaturën për aq sa munden dhe duan, por që rezultate reale në dialog apo progresi drejt normalizimit e pastaj edhe drejt njohjes nuk besoj se do të jetë i mundur para fillimit të vitit të ardhshëm. Madje, kam dyshimet e mia po ashtu se njohja do të jetë e mundur me presidentin Vuçiq në pushtet në Beograd”, tha Serwer.

Ai ka folur edhe për takimet që do t’i ketë në Bruksel shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Pres që Kallas të përpjekjet të ulë temperaturën, që të theksojë se duhet të ketë llogaridhënie për këtë incident, por shpresoj që të thotë se duhet të ketë llogaridhënie edhe për incidentet e kaluara. Llogaridhënia është kërkuar ndaj Kosovës në formën e atyre masave, por asgjë nuk është bërë kundrejt kundërvajtjeve goxha të rënda të Serbisë. Besoj se ka goxha shumë hapësirë që BE-ja ta forcojë qëndrimin kundër Beogradit dhe do të shpresoja që pastaj edhe amerikanët ta ndjekin këtë hap”, tha tutje Serwer.

Ndërkaq, sa i përket administratës së presidentit amerikan Trump, Serwer theksoi se nuk beson se Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet, por ka thënë se Kosova duhet të ketë durim dhe të presë janarin dhe fillimin e punës së presidentit Trump.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img