Site icon PrishtinaPress

Serbia s’e heq ushtrinë nga kufiri me Kosovë, Staroviq: Jo pa u tërhequr Policia e Kosovës

Sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, ka deklaruar se tërheqja e forcave speciale të Policisë së Kosovës do të ishte një hap kyç, i cili do të pasohej me rivlerësimin e situatës së sigurisë nga Serbia.

“Pas kësaj, do të mund të pasonte hapi i dytë, të cilin e ka përmendur Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken”, tha Staroviq për Radion Evropa e Lirë (REL), më 2 qershor.

Për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, autoritetet në Serbi, më 26 maj, shpallën vendosjen e Ushtrisë së Serbisë në “shkallën më të lartë të gatishmërisë luftarake”, gjatë së cilës ata dislokuan njësi dhe pajisje luftarake në kufirin me Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 31 maj apeloi që Qeveria e Kosovës të tërheqë forcat policore nga veriu, ndërsa Qeveria e Serbisë të ulë gatishmërinë luftarake të ushtrisë.

Staroviq tha se vendimi për ngritjen e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë së Serbisë është masë parandaluese.

Ai vlerësoi se gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është ende e tensionuar, ndonëse, siç tha ai, deri diku është stabilizuar.

“Lëvizja kryesore që do të duhej të ndodhte, pa të cilën në thelb nuk ka normalizim të qëndrueshëm, është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës. Ata nuk e kanë vendin aty. Vetë prania e tyre në veri është një faktor serioz jostabiliteti. Ata duhet të tërhiqen”, tha Staroviq.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 2 qershor, ka kërkuar shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në komunat në veri të Kosovës, pjesëmarrjen e serbëve në to dhe fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kërkesa e tij pasoi një javë tensionesh në veri të Kosovës.

Popullata lokale kundërshton kryetarët e rinj zgjedhur shqiptarë në komunat me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Nemanja Staroviq vlerësoi gjithashtu se propozimet e Bashkimit Evropian për tejkalimin e situatës aktuale në Kosovë janë të mira, por theksoi se më e rëndësishmja është tërheqja e policisë speciale nga veriu, në mënyrë që, siç vlerësoi ai, të ulen tensionet.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e Beogradit zyrtar se parakusht për pjesëmarrje në zgjedhjet në veri të Kosovës është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Exit mobile version