Site icon PrishtinaPress

“Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”, Çerkini: Pa nënshkrimin e Kurtit dhe Vuçiqit, nuk besoj aspak

Pas deklaratave të shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti se Kosova dhe Serbia janë marr vesh në Bruksel, për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, nuk i beson këtij dakordimi.

Çerkini ka thënë se nëse Hoti ka thënë se “Serbia pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”, në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq e thotë të kundërtën.

Sipas tij, kjo çështje ka mbetur pezull dhe nuk ka asgjë definitive deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshje nga kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ai ka thënë se Serbia ka pranuar, e Petkoviqi thotë që s’kemi pranuar dhe e kemi heq fjalën ‘me dhunë’. Edhe çka është hiç mos me besu thonë ‘na jena dakordu, por duhet të vendosin Kurti me Vuçiqin’. D.m.th kjo ka mbet pezull dhe nuk ka asgjë definitive. Nuk besoj aspak hiç, deri të bëhet nënshkrimi i saj”, ka thënë Çerkini.

Ndryshe, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një postim në Twitter dhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti kanë bërë të ditur se Kosova dhe Serbia janë marr vesh për deklaratën rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë.

/PrishtinaPress/

Exit mobile version