Site icon PrishtinaPress

Serbia përjashton mundësinë e nënshkrimit të planit të BE-së për shkak të anëtarësimit së Kosovës në OKB

Presidenti Vuçiq ka thyer shpresat e Beogradit për nënshkrimin e planit të Bashkimit Evropian shkaku që përfshihet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht pretendimeve të hënën se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një plan të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, presidenti i Serbisë paralajmëroi të martën se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen, shkaku i pikave që referojnë në njohje reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Jemi gati të negociojmë planin e implementimit por unë nuk do ta nënshkruaj këtë,” tha Aleksandër Vuçiq në televizion.

“Kjo është çka i thashë [Presidentit francez] Macron dhe [Kancelarit gjerman] Scholz në Mynih, dhe të gjithë liderëve të mëdhenj … nuk mund të flasim për njohje reciproke dhe hyrjen e Kosovës në OKB”, tha Vuçiq.

Kur u pyet për shanset e ndryshimit të planit evropian, ai u përgjigj duke thënë: “Asnjë [shans] ”.

Vuçiq tha se zbatimi praktik i udhëzimit të planifikuar të jetë aneks i marrëveshjes – duke rënë dakord për atë që do të zbatohet – ishte i pranueshëm, por Serbia “nuk do ta zbatojë pranimin [e Kosovës] në OKB”.

Vuçiq u pajtua se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën ishte i nevojshëm dhe tha se është i gatshëm të punojë për këtë. Ai gjithashtu pranoi se 99.99 për qind e shqiptarëve të Kosovës mbështesin një Kosovë të pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë. “Le të bëjmë kompromise racionale që kanë të bëjnë me jetën reale,” tha Presidenti.

“Por për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me Kushtetutën e Serbisë, e kam thënë pa mëdyshje, publikisht dhe qartë kudo. Pse mendoni se nuk firmosa asgjë, për të cilën ata thanë se do të firmosja?” pyeti Vuçiq, duke iu referuar partive opozitare të krahut të djathtë të Serbisë që e kanë akuzuar atë për tradhti.

Ai tha se takimet e ardhshme me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, do të jenë për planin e zbatimit, duke shtuar se presionet ndaj Serbisë me gjasë do të vazhdojnë, sepse deri më 24 mars, kur do të mblidhet Këshilli Evropian, do të duhet të kenë ndonjë rezultat.

Vuçiq këmbënguli se Asociacioni i planifikuar i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, një organ që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës, ishte rënë dakord në Bruksel në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë. Për të, kjo ishte pika numër një në planin e zbatimit.

Megjithatë, ai shprehu dyshime se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta zbatojë atë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një kundërpërgjigje ndaj Vuçiq ka thënë se deklarata e presidentit serb përbën shkelje të nenit 4 të propozimit të BE-së.

Sipas Kurtit, normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim.

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenit 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”- ka shkruar Kurti në twitter..

Pas takimit të së hënës, BE publikoi marrëveshjen në faqen e saj të internetit. Pritet që i dërguari i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Lajçak, të vizitojë dy vendet në javët në vijim, ndërsa takimi i radhës Kurti-Vuçiq do të mbahet më 18 mars në Shkup.

Exit mobile version