Në marsin e vitit 1989, Serbia dhunshëm ia suprimoi Kosovës autonominë.
E tërë fushata kundër Kosovës kishte filluar nga serbët në Fushë-Kosovës, më 1987, e cila njihet edhe si lëvizja serbe antishqiptare, ku edhe fillon ardhja në pushtet e kriminelit, Sllobodan Millosheviq.
Më 20-28 shkurt 1989, nisi greva e minatorëve të Trepçës, të cilët dolën në mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës, që kërcënohej nga Serbia. Greva e minatorëve synonte të mbronte autonominë e Kosovës, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974.
Por më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës së Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën e Jugosllavisë, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Sidoqoftë, brenda në sallë ishin disa deputetë shqiptarë që nuk u frikësuan dhe i ngritën gishtat kundër heqjes së autonomisë së Kosovës. Nga 190 delegatë të tri dhomave sa kishte atëherë Kosova, në disa studime del se pos Riza Llukës, ishin edhe Melihate Tërmkolli, Shkëlzen Gusinja, Ukë Bytyqi, Sadik Zuka, Remzi Hasani, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Mehdi Uka dhe Avdi Berisha që votojnë kundër suprimimit të asaj autonomie. Dy delegatë thuhet se abstenojnë, ndërsa 25-30 mungojnë në seancë.
Në xhirimet të cilat janë publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku dominon imazhi i deputetit Lluka duke ngritur gishtat kundër ndryshimeve, simbolizohet rezistenca dhe përfaqësimi i vullnetit të shqiptarëve shumicë të Kosovës. Qëndrime të tilla publike ka dhënë edhe delegatja Melihate Tërmkolli.
Atë botë Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.