“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush i sulmon serbët në Kosovë”, tha të martën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “kërcënuar me heqjen e dhunshme të barrikadave”, që grupe serbësh i kanë ngritur në veri të Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi pretendimet e Serbisë se edhe Kosova ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe tha se institucionet e vendit të tij po punojnë me partnerët ndërkombëtarë që çështja e barrikadave të zgjidhet pa u përshkallëzuar situata.
Sveçla tha se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe ka urdhëruar ngritjen e barrikadave të reja në Kosovë, “për të justifikuar dhe mbrojtur grupet kriminale”.
Nga 10 dhjetori e këndej, qytetarë serbë kanë ngritur mbi dhjetë barrikada në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata i janë përgjigjur kështu arrestimit të një ish-polici serb, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Nga mbrëmja e 26 dhjetorit, ndërkaq, ushtria dhe policia e Serbisë janë vendosur në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, apo në nivel “të përdorimit të forcës së armatosur”.
Këtë urdhër e dha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, në një adresim për publikun përmes llogarisë së tij në Instagram, tha se do t’i marrë “të gjitha masat për mbrojtjen e popullit dhe ruajtjen e paqes në veri të Kosovës”.
As ai, as përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme të Serbisë nuk specifikuan më shumë në lidhje me këto masa.
“Ne flasim me të gjithë dhe bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Ne vazhdojmë të luftojmë dhe të kërkojmë një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq të martën, pas një takimi me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Ai nuk foli për arsyet e rritjes së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.
Që nga ngritja e barrikadave 18 ditë më parë, forcat serbe janë përqendruar në jug të Serbisë, pranë kufirit me Kosovën. Ato janë vendosur në kazermën në Rashkë dhe janë vizituar disa herë nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së këtij vendi.
Deri më tani, për shkak të tensioneve me Kosovën, Serbia ka rritur disa herë gatishmërinë luftarake të ushtrisë, por kjo është hera e parë që ajo i vë të gjitha forcat policore në nivelin më të lartë të gatishmërisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën se ky është reagim ndaj “kërcënimit të menjëhershëm për luftë dhe çdo gjëje që po bën Prishtina për të kryer sulm” në veri të Kosovës.
Duke folur për Radio Televizionin e Serbisë, Petkoviq tha se edhe Kosova e ngriti gatishmërinë luftarake të forcave të saj në nivelin më të lartë, por nuk solli ndonjë provë për këto pretendime.
Çfarë thonë në Kosovë?
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ato janë krejtësisht të pavërteta dhe pjesë e propagandës së Serbisë dhe Rusisë.
“Është pikërisht Serbia, e ndikuar nga Rusia, ajo që ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale, që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, shkroi Sveçla në Facebook.
“Nuk jemi të interesuar për luftë, por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë, sepse, ndër vite, ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, tha Sveçla.
Ai shtoi se institucionet e Kosovës janë duke vepruar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, që çështja e barrikadave të zgjidhet pa u përshkallëzuar situata.
“Ky fakt, dukshëm, po i pengon Serbisë, e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz. Dhe, kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të EULEX-it e së fundmi edhe ndaj KFOR-it”.
“Me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës, ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”, tha Sveçla.
Çfarë thonë në Bruksel?
Bashkimi Evropian tha të hënën se në Kosovë duhet të kthehet menjëherë dhe pa kushte liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.
BE-ja kërkoi nga Kosova dhe Serbia që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm sulmet ndaj EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje maksimale”, tha mes tjerash zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.
BE-ja i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që personalisht të kontribuojnë në një zgjidhje politike, që synon qetësimin e tensioneve dhe marrëveshjen për rrugën përpara “në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”. BE-ja tha se i mbështet në mënyrë aktive këto përpjekje.
Massrali, po ashtu, tha se përpjekjet për të arritur marrëveshje për heqjen e barrikadave do të vazhdojnë pa vonesa dhe se BE-ja kërkon nga të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive.
Të shtëna në drejtim të paqeruajtësve letonezë
Autoritetet në Beograd filluan të bëjnë lëvizje pasi disa media pro-qeveritare në Serbi raportuan më 25 dhjetor se në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës – kishte të shtëna me armë zjarri, kur Policia e Kosovës “deshi të heqë njërën prej barrikadave”.
Policia e Kosovës i mohoi këto pretendime dhe tha se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkëmbim zjarri në Zubin Potok.
Në një postim në Twitter më 25 dhjetor, Ministria e Mbrojtjes e Letonisë tha se në drejtim të ushtarëve të saj, që bëjnë pjesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka pasur të shtëna.
KFOR-i tha se është duke hetuar incidentin e raportuar.
“Nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale dhe ne po punojmë për vërtetimin e të gjitha fakteve”, tha KFOR-i më 26 dhjetor.
Në të njëjtën ditë mbajti mbledhje edhe Këshilli i Sigurisë i Kosovës, i cili tha se pas incidentit në Zubin Potok qëndrojnë “struktura ilegale dhe grupe kriminale të mbështetura nga Serbia” dhe se ato po veprojnë kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Në një takim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, dhe me shefin e misionit evropian në Kosovë, EULEX, Lars Gunnar Wigemark, u tha se liria e lëvizjes në Kosovë “duhet të sigurohet”.
Obusët në kufi
Mbrëmjen kur mediat serbe publikuan pretendimet për të shtënat në Zubin Potok, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, shkoi në garnizonin e ushtrisë në jug të Serbisë, ndërsa të nesërmen, më 26 dhjetor, iu bashkua edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.
Vuçeviq, më pas, deklaroi se është bindur për “gatishmërinë dhe aftësinë [e ushtrisë] për të kryer çdo detyrë të caktuar nga udhëheqja shtetërore”.
Më 26 dhjetor, disa media transmetuan pamje të gjashtë obusëve serbë, të cilët, sipas raportimeve të tyre, ishin vendosur dy kilometra larg vendkalimit kufitar të Serbisë me Kosovën, Jarinjë.
Obusët u kthyen shpejt në kazermën në Rashkë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për qëllimin e këtij veprimi të raportuar.
Në të njëjtën ditë u bë e ditur edhe për trefishimin e numrit të forcave speciale në ushtrinë serbe.
Ministri serb i Mbrojtjes, Vuçeviq, tha se një vendim i tillë është marrë “me urdhër” të presidentit të Serbisë.
Ai nuk dha ndonjë arsye konkrete për këtë, por tha se Ushtria e Serbisë “do të jetë grushti më i fortë që do t’i copëtojë dëshirat dhe qëllimet e këqija” të atyre që “dëshirojnë të dëmtojnë popullin tonë”.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se në rast të inkursionit të Serbisë, Kosova ka “garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”.
Ibishi: “Vuçiq e di ku është kufiri”
Nuredin Ibishi, ekspert për çështje të sigurisë në Kosovë, thotë se vendimi i autoriteteve serbe për të rritur gatishmërinë luftarake nuk është befasues.
“Mendoj se këto lojëra të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, janë të njohura. Me qëllim ai dëshiron t’i ngrejë tensionet dhe të demonstrojë forcën në afërsi të kufirit shtetëror me Kosovën. Por, ai e di ku është kufiri”, thotë Ibishi.
Ai thotë se nuk sheh ndonjë ndërhyrje të mundshme ushtarake të Serbisë në Kosovë, për shkak të pranisë së forcave paqeruajtëse të NATO-s në vend.
Misioni i NATO-s është vendosur në Kosovë nga viti 1999, kur sulmet e aleancës ushtarake mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave i kanë dhënë fund luftës në Kosovë.
Kur është vendosur ushtria serbe në gjendje gatishmërie?
Gatishmëria luftarake e Ushtrisë së Serbisë është ngritur për herë të fundit në fillim të nëntorit, për shkak të, siç është thënë në atë kohë, dronëve që kanë hyrë nga Kosova në Serbi dhe kanë vëzhguar pozicionet dhe objektet e ushtrisë serbe.
Niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur edhe në shtator të vitit 2021, kur ka skaduar afati për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në Kosovë.
Asokohe, pjesëtarë të komunitetit serb, duke kundërshtuar procesin e riregjistrimit, kanë bllokuar pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në vendkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.
Gatishmëri të plotë luftarake, Vuçiq ka urdhëruar edhe në maj të vitit 2019, kur Policia e Kosovës ka arrestuar 19 policë – 11 prej të cilëve serbë – nën akuzat për korrupsion, në veri të Kosovës.
Më shumë se dhjetë persona – mes tyre edhe policë – janë lënduar gjatë trazirave në barrikadat e ngritura nga pjesëtarë të komunitetit serb, për shkak të aksionit të policisë.
Ushtria serbe ka qenë “në gjendje të gatishmërisë më të lartë luftarake” edhe në shtator të vitit 2018, kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur pranë digës dhe liqenit artificial të Ujmanit.
Ata kanë siguruar vizitën e presidentit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, tek Ujmani dhe në pikën kufitare Bërnjak në veri të Kosovës. /rel/