Site icon PrishtinaPress

Serbia ndërpret transmetimin e energjisë për Kosovën

Menjëherë pas fillimi të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova kishte importuar nga ky shtet, ka bërë të ditur Nebih Zariqi, anëtar i bordit të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Këta megavat të bllokuar nga Serbia, shton Zariqi, u zëvendësuan pastaj me një marrëveshje të arritur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut, për furnizim nga kapacitetet energjetike të këtij shteti.

“Dihet se Serbia është prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në regjion dhe të gjitha shtetet e regjionit pjesërisht furnizohen nga Serbia. Kosova nuk i plotëson kapacitetet prodhuese të energjisë. Kemi pasur mungesë prej 500 megavatësh. Ata megavat deri në atë moment janë marrë nga Serbia dhe në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, pra pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia e ka ndërprerë transmetimin e energjisë për Kosovën”.

“Tashmë jemi të sigurt në operim të energjisë elektrike, kështu që besoj që do të ketë një stabilitet të madh këto ditë”, thotë Zariqi, duke shtuar se tashmë është futur në sistem edhe linja 400 kV interkonektive me Shqipërinë.

KOSTT-i del nga blloku rregullues me Serbinë

Nga dita e hënë (14 dhjetor) KOSTT operon si i pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës. Dalja e Kosovës nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe përfshirja e saj në një bllok me Shqipërinë ishte paraparë me një marrëveshje mes KOSTT-it dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) në muajin qershor. Ajo hyri në fuqi më 29 shtator.

Kjo e ka futur komercialisht në funksion linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”, pas katër vjetësh nga përfundimi i ndërtimit të saj. Sipas KOSTT-it, kjo do të ketë impakt pozitiv në optimizimin e dy sistemeve dhe rritjen e kapaciteteve transmetuese mes dy vendeve.

Nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit deklaruan se zbatimi i marrëveshjës me ENTSO-në do të jetë në fazë testuese deri më 31 dhjetor, dhe se lidhur me këtë, janë të angazhuar të gjithë aktorët e sektorit të energisë.

“Në këtë proces deri tash ka raportime që gjithçka po shkon si duhet. Nuk duhet të anashkalohet assesi ndihma e partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në një përgjigje të ministrisë.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë se tashmë KOSTT-i do të inkasojë deri në tre milionë euro në vit shtesë për tarifat që merr për shkak të qarkullimit të energjisë në tregun ndërkombëtar.

“Ky operim i pavarur dhe bashkëpunimi me Shqipërinë do të fillojë të lulëzojë shumë më tepër, sepse kemi një linjë me kapacitet të lartë, ku kemi gjithmonë mbiprodhim të energjisë gjatë verës dhe nënprodhim gjatë dimrit. Dhe, normalisht, hapet një treg tjetër botëror siç është Italia, pjesë tjetër që e mundëson shitjen e energjisë dhe lëvizjen më të lirë”, thotë Lluka.

Megjithatë, Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë se në aspektin gjeneral, ky pavarësim i sistemit energjetik të Kosovës i ka elementet pozitive, por jo edhe të zbatimit të marrëveshjes për pjesën e veriut dhe të sigurimit që ajo pjesë të integrohet në tregun energjetik të Kosovës.

“Pa pasur një vullnet politik dhe shtrirjes në praktikë të autoritetit të institucioneve të Kosovës në atë pjesë, nuk pres që do të kemi një zbatueshmëri të plotë të marrëveshjes për energji dhe një funksionalitetit normal të sistemit energjetik në atë pjesë”, thotë Abazi.

Problemet me Serbinë dhe me veriun e Kosovës

Para pavarësimit të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia vazhdimisht ka shkaktuar probleme me alokimin e kapaciteteve, thotë Nebih Zariqi, anëtar i bordit të KOSTT-it.

“Serbia kur ka dashur, ka bërë pengesa në ato kapacitete që i kemi importuar, gjegjësisht nga shtetet e ndryshme që tregtarët kanë aplikuar përmes rrjetit të sistemit të Serbisë”, thotë ai.

Po ashtu, qytetarët që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), që nga përfundimi i luftës më 1999, nuk i kanë paguar faturat e energjisë dhe pse janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia. Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar në këto komuna.

Që nga viti 1999 deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarë tjerë të Kosovës.

Megjithatë, qytetarëve në veri iu shkojnë faturat për energjinë elektrike nga ‘Elektrokosmet’ i Serbisë, kompani të cilën Kosova e konsideron ilegale. Sidoqoftë, për më shumë se 20 vjet, ka edhe përdorues të shumtë që janë lidhur në rrjet në mënyrë të paligjshme dhe për të cilët nuk është e mundur të llogaritet energjia elektrike e shpenzuar.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë nënshkruar marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Lidhur me këtë, Zariqi thotë se pala serbe çdo herë në Bruksel ka pranuar se do të formojë një kompani lokale me kushtet dhe ligjet e Kosovës, por një kompani e tillë nuk ka aplikuar asnjëherë të pajiset me leje.

“Atje (në veri) veprohet në mënyrë ilegale. Dikush i mbledh ato mjete të shpenzimit të energjisë elektrike, por tani duhet të veprojnë organet e shtetit, se cila është ajo kompani dhe si po funksionon ajo pjesë”, thekson Zariqi.

Sipas tij, tash pas pavarësimit të sistemit energjetik, të gjitha institucionet kompetente Qeveria, KOSTT, KEDS do të mund më lehtë t’i qasen veriut edhe kur bëhet fjalë për inkasimin e faturave.

“Duhet ende të ketë bisedime edhe në aspektin politik, por besoj me qasjen tonë të matur në pjesën veriore, të Kosovës dhe KOSTT-it, do të mbërrijmë të fusim nën ombrellë edhe atë pjesë të Kosovës”, thotë Zariqi.

Mijaciq: Kontrolli mbi sistemin e faturimit do të vendoset shpejt

“Serbia nuk është më në gjendje të dërgojë energji elektrike në Kosovë, veçanërisht në veri të Kosovës, derisa të marrë një leje nga KOSTT-i,” thotë Dragisha Mijaciq, koordinator i grupit punues të Beogradit për Kapitullin 35 të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, në kuadër të të cilit është mekanizmi për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura brenda dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Për katër komuna ne veri të Kosovës, ai thotë se tashmë do të ndryshojë situata meqenëse “energjia elektrike që arrin te qytetarët, do të rregullohet nga KOSTT”.

“Kjo do të thotë që kontrolli mbi sistemin e faturimit do të vendoset shumë shpejt dhe faturat do t’u lëshohen qytetarëve. Sidoqoftë, kur fillon faturimi i qytetarëve, një segment tjetër i marrëveshjes për energji duhet të implementohet, e ai është themelimi i ndërmarrjes Elektrosever, e cila është e regjistruar në sistemin e Kosovës, por nuk ka marrë licencë për të operuar”, tha Mijaciq.

Disa, qytetarë të anketuar në veri të Mitrovicës japin mendime të ndryshme sa i përket pagesave të faturave të energjisë elektrike.

Zoran Radojkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës shpreson qe Serbia do t’i paguajë faturat për qytetarët në veri të Kosovës.

“Ne edhe ashtu jetojmë në një vend me shumë rrezik dhe nëse duan ta mbajmë këtë territor, ndoshta i mbulojnë këto fatura. Por, nëse duhet t’i paguajmë shtetit tonë (Serbisë) faturat, atëherë do t’i paguajmë”, thotë ai.

Ndërkaq, Millan Gjorgjeviq thotë se mjaft ka qenë duke mos paguar energjinë:

“20 vjet nuk paguhet rrymë. Mjaft ishte”.

Për Dragan Bojoviqin kjo situatë e mospagimit të energjisë elektrike duhet të vazhdojë.

“Nuk është krejt e rregulluar, për t’u rregulluar kjo çështje – nuk është i rregulluar as statusi – pse pra të pagujmë”, thotë ky qytetar.

Më herët, zyrtarët e KOSTT-it kanë deklaruar për REL-in se se nga viti 2008 e deri tani, shteti i Serbisë, në mënyrë joligjore ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit të Kosovës dhe ka mbledhur të hyra prej rreth 65 milionë eurosh. /rel

Exit mobile version