Site icon PrishtinaPress

Serbia mohon përfshirjen e ushtrisë në rrëmbimin e policëve të Kosovës

Pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë dje në Leposaviq, kryeministri Albin Kurti doli me një deklaratë që tha se dyshon që ata u rrëmbyen nga ushtria e Serbisë. Ai sot në një konferencë për media dha edhe më shumë detaje se kush ishin ata që e bënë rrëmbimin e policëve kosovarë.

“Bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhet të merrej KFOR-i: është njësia speciale antiterroriste, që ata e quajnë “SAJ” dhe është njësia speciale ushtarake që ata e quajnë “Kobra”. Pra, SAJ dhe Kobra janë njësitë që duket se kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe kidnapim”, tha Kurti.

Për këtë deklaratë të Kurtit sot ka dalë me një reagim Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, e cila mohon përfshirjen e ushtrisë në këtë rrëmbim.

“Ushtria serbe nuk mori pjesë në arrestimin e djeshëm të tre anëtarëve të armatosur të të ashtuquajturit  “Policia e Kosovës”. Insinuatat e kryeministrit të institucioneve të përkohshme të Prishtinës se ushtria serbe është përfshirë në “rrëmbimin e tre policëve të Kosovës” brenda territorit të Kosovës janë vetëm vazhdimësi e fushatës së gënjeshtrave, manipulimeve dhe dhunës ilegale të kryera ndaj serbëve nga autoritetet e Prishtinës”, thuhet në këtë reagim.

Po ashtu, ministria serbe pretendon se nuk e ka kaluar kufirin dhe se “ka kryer detyrat në përputhje të plotë me Rezolutën 1244”.

“Ushtria serbe bashkëpunon ngushtë me forcat e tjera të sigurisë të Republikës së Serbisë dhe KFOR-in, me të cilët mban kontakte profesionale në të gjitha nivelet për të monitoruar situatën në terren dhe për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt”.

Kurti tha se institucionet kanë prova dhe gjurmë që njësitë serbe kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe kanë rrëmbyer policët, derisa tha se është i befasuar që KFOR ende s’ka dalë me qëndrim përkundër se ka qenë në vend të ngjarjes dhe i ka parë këto prova.

Exit mobile version