Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë se nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës janë detyruar me ligj që të intonojnë himnin shtetëror serb në ditën e parë të shkollës.
Arifi ka ftuar kryeministrin Kurti që ta vizitojë shkollën fillore më të madhe shqiptare në Preshevë për ta parë nga afër padrejtësinë ndaj shqiptarëve raporton Express.
“Nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës detyrohen ligjërisht të intonojn himnin serb në ditën e parë të shkollës. Në dokumentin që po ndaj me ju, pasqyrohet vendimi për detyrimin e intonimit të himnit serb “Bože Pravde” në shkollat shqiptare të Luginës së Preshevës. Tani shtrohet pyetja retorike, si qëndron e tëra kjo me të drejtat elementare të shqiptarëve në Luginë, kur dihet se simbolet kombëtare shqiptare janë të ndaluar. Kur jemi tek reciprociteti, cilat aktivitete e zhvillime janë ndërmarrur dhe planifikuar në këtë drejtim nga Qeveria e Republikës së Kosovës? Kryeminstri Kurti është i mirëseardhur për vizitë në Shkollën Fillore më të madhe shqiptare në Luginën e Preshevës, të njoftohet për së afërmi me ketë padrejtësi dhe njëmijë padrejtësi të tjera”, ka shkruar Arifi në Facebook./Prishtinapress/