Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme bën të ditur se Republika e Kosovës është anëtarësuar në Konventën e Hagës (Konventa e Apostiles) dhe ka marrë zyrtarisht pjesë në takimin e katërt. Pjesmarrja e Kosovës si shtet të pavarur në këto punime është kundërshtuar nga Serbia, Rusia, Argjentina, Rumania, Sllovakia dhe Kina por megjithatë Kosova ka arritur të marrë pjesë në cilësinë e një shteti të pavarur, shkruan Gazeta Express.
Më tej bëhet e ditur se ” Ndryshe nga temat e natyrës teknike dhe profesionale dhe nga agjendat e takimeve, delegacioni i Kosovës është ballafaquar me pengesat konkrete që i janë bërë nga Serbia sa i përket tentimit të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës, në këto punime si dhe kërkesës së Serbisë, Rusisë, Argjentinës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Kinës që në dokumentet zyrtare të Byrosë për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Kosova ta ketë edhe fusnotën duke insistuar në mbishkrimin lidhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Me këtë rast ka reaguar menjëherë delegacioni i Kosovës, i cili nuk është pajtuar me propozimet e tilla, duke e theksuar çdo herë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se nuk vjen në shprehje në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë të diskutohet për shtetësinë e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht tentativa e Serbisë që të bllokoj pjesëmarrjen tonë në këto punime, si dhe eventualisht t’ia imponoj nikoqirit që Kosova të paraqitet me fusnotë, dështoi në tërësinë e saj.”