Në protestën e sotme në Leposaviq, disa qytetarë kanë mbajtur një shirit të verdhë me Yllin e Davidit, që është simbol i vuajtjeve të hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas tyre, ata kanë dashur të vënë në dukje “vuajtjet e serbëve në Kosovë”. Ata janë ulur pikërisht pranë telit me gjemba të përforcuar, për të tërhequr atje masën e njerëzve.
Qytetarët e Leposaviqit edhe sot po protestojnë dhe kërkojnë lirimin e qytetarëve të veriut të Kosovës të cilët të hënën u arrestuan në Zveçan, por edhe që kryetarët shqiptarë dhe forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur para ndërtesës së komunës.
Pjesëtarët e KFOR-it po sigurojnë ndërtesën e komunës në Leposaviq dhe rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm e kanë siguruar zonën shtesë me tela me gjemba. Pas ushtarëve të KFOR-it gjenden autoblinda të njësive speciale të Policisë së Kosovës.