Shumë të ndryshme janë qëndrimet e serbëve në Beograd dhe të atyre në Mitrovicën e Veriut lidhur me tensionimin e fundit të situatës në atë pjesë të Kosovës.
Në Beograd, qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, përdorin fjalët ‘përndjekje’, ‘dëbim’ dhe ‘luftë’ – shprehje të tabloideve pro-qeveritare në Serbi – për situatën e fundit në veri të Kosovës.
Në Mitrovicën e Veriut, në anën tjetër, thonë se “çdo gjë do të bjerë në vend”.
Në veri të Kosovës pati tensionim të situatës mbrëmjen e së dielës, pak para se të hynin në fuqi dy vendime që Qeveria e Kosovës i mori në fund të qershorit.
Pas të shtënave, vendosjes së barrikadave dhe incidenteve që e krijuan një atmosferë lufte në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, Qeveria e Kosovës u zbraps.
Ambasadori Hovenier intervenoi duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilëve iu kërkoi ta shtyjnë zbatimin e këtyre dy vendimeve. Kërkesa u pranua.