Protestuesit serbë edhe sot kanë vazhduar tubimet e tyre para objekteve komunale në tri komunat në veri të vendit.
Autoblindat e Policisë së Kosovës në Zveçan dhe Leposaviq, për dallim nga ditët e mëhershme, kanë lëvizur dhe janë vendosur prapa ndërtesave të këtyre komunave.
Nuk dihet arsyeja e ndërrimit të lokacionit të këtyre autoblindave dhe nëse ato sot do të lëvizin në drejtim të Mitrovicës.
Ushtarët e KFOR-it po vazhdojnë të qëndrojnë para objekteve komunale, ndërkohë që situata aktuale konsiderohet të jetë e qetë.
Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe gazetarët.