Site icon PrishtinaPress

Serbët ende jashtë institucioneve të Kosovës

Të shtunën e kaluar kryetari i Listës Serbe dha lajmin se zyrtarët serbë do të largohen nga institucionet e Kosovës. Ata deri më sot janë larguar nga Qeveria, Kuvendi, Policia, Gjykata, Prokuroria e Dogana. Këto dorëheqje kolektive u ndërmorën në shenjë pakënaqësie dhe revolte ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Në katër komunat veriore pritet të mbahen zgjedhjet, për deputetë tashmë ka nisur procedura e zëvendësimit ndërsa për institucionet tjera ende ka paqartësi se si do të veprohet.

Pas kumtit të dhënë nga Goran Rakiq, zyrtarët serbë të Policisë së Kosovës, të shtunën e 5 tetorit zhveshën uniformat e tyre, ndërsa më pas, ata i dorëzuan fletëdorëheqjet e tyre. Sipas ministrit të Punëve të Brendshëm, numri i të dorëhequrve është afër 600.

Nga postet e tyre dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave veriore, ku pritet të mbahen zgjedhjet. Për këtë  çështje, presidentja Osmani është takuar me kryetarin e KQZ-së, mirëpo për shpalljen e datës së zgjedhjeve, ajo ka ftuar në takim partitë politike.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, tashmë ka 10 deputetë më pak, pasi nga këto mandate hoqën dorë zyrtarët e Listës Serbe. Për zëvendësimin e tyre kanë nisur procedurat. KQZ ka dërguar rekomandimet e saj tek presidentja, e cila pritet t’i dërgojë në Kuvend dhe zëvendësimi i tyre kompletohet me rastin e betimit. Ka skepticizëm rreth asaj se deputetët e Listës Serbe do të pranojnë këto mandate, derisa vendimi për targat është ende në fuqi.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, po ashtu ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Kthim dhe Komunitete. Qeveria ende nuk ka emëruar një ministër të ri, derisa kjo ministri po punon me ushtrues të detyrës.

Serbët janë larguar edhe nga Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë. Në gjykata, lëndët i kanë marrë në dorë punonjësit shqiptarë, ndërsa në prokurori pritet të dërgohen zyrtarë nga qytetet tjera, shkruan Gazeta Express.

Të premten, Dogana e Kosovës njoftoi se 11 zyrtarë kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion, 9 prej tyre serbë e 2 boshnjakë.

Për të kundërshtuar këtë vendim, serbët e Kosovës të dielën kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut. Ata kërkuan heqjen e vendimit për targat, krijimin e asociacionit dhe emërimin e një komandanti serb në policinë në veri.

Lidhur me këtë, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës.

“Iu bëj thirrje qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbëve. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, tha Kurti në një konferencë për media të mbajtur më 7 nëntor.

“Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën tonë demokratike. Kosova do të angazhohet për drejtësi, ligj dhe kushtetutshmëri, nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale kushdo qofshin dhe nga kushdo që organizohen ato”, deklaroi Kurti./Prishtinapress/

Exit mobile version