Kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë dhënë të dielën dorëheqje para kuvendeve përkatëse, një ditë pasi Lista Serbe ka njoftuar se do të largohet nga institucionet e Kosovës.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme Lista Serbe do të mbajë edhe një protestë në veri të vendit. Ndërsa, Demokracia.com ka mësuar se ata po planifikojnë ta shpallin veriun si Rajon Autonom Serb Kosova Veriore (SAO SEVERNA KOSOVO).
Rajone të tilla autonome janë bërë më parë edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shqiptimi e gjobave dhe riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.
Pas largimit të Listës Serbe kanë reaguar edhe bashkësia ndërkombëtare.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë, që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, deklaroi se forcat e KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në veriun e Kosovës. Komentet pasojnë vendimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë për t’u larguar nga të gjitha institucionet e vendit.