2.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Serbët e veriut: Kemi së paku 2 armë, jemi të gatshëm të luftojmë

Revista “Politico”, në një shkrim të sajin në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Serbi pas tentimit të palës serbe që të fuste një tren me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në territor të Kosovës, ka shkruar se ky incident është i pari i këtij lloji që nga paslufta që ka mundur të nxiste edhe konflikt më të gjerë.

Mediumi në fjalë shkruan se me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Serbi, në muajin prill, disa e kanë interpretuar çështjen e trenit si manovër politike, duke theksuar se qëllimi ka qenë që kryeministri Aleksandër Vuçiq ta fajësonte për këtë incident presidentin në largim, Tomisllav Nikoliq (Vuçiq kishte deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të dekorit provokues të trenit derisa e kishte parë në media) , transmeton Koha.net.

Analistët thonë se gjendja mund të eskalojë shumë shpejtë. “Vuçiq po luan me zjarrin”, thotë Dejan Anastasijeviq, gazetar serb që kishte mbuluar luftërat e Jugosllavisë në vitet e ’90-ta. “Ai po luan një lojë politike, por, siç e dimë, këto lloj incidentesh mund të dalin jashtë kontrollit shumë shpejtë në Ballkan”.

Ndonëse një marrëveshje e sponsoruar nga BE e nënshkruar më 2013 kishte bërë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve, progresi në zbatimin e saj ka qenë i ngadaltë dhe paqja mbetet e brishtë, posaçërisht në zonat multi-etnike.

“BE është një fuqi e butë e domosdoshme që ka transformuar Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm i Kosovës, për POLITICO. “Arritjet e Kosovës janë arritje të BE-së, dhe, rrjedhimisht, Brukseli duhet të mbrojë investimet e tij afatgjata në rajonin e gjerë, përfshi edhe Kosovën”.

Pothuajse dy dekada pas luftës së Kosovës, tensionet në Mitrovicë janë ende të dukshme. E ndarë në dysh nga lumi Ibër, komuniteti që jeton në veri është me shumicë serbe, ndërsa ata që jetojnë në jug janë shumicë absolute shqiptare.

Trupat e KFOR-it vazhdojnë me prezencën e tyre në urën kryesore në mes të dy pjesëve të qytetit, ndonëse ajo ka qenë e bllokuar për trafik që nga përfundimi i luftës.

“Situata [me trenin] ka dy mesazhe”, thotë Branislav Krstiq, gazetar dhe analist nga Mitrovica. “Njëri është mesazh politik. E tjetri është mesazh për Amerikën dhe Bashkimin Evropian se nëse provojnë të ushtrojnë shumë presion për të ndryshuar dinamikën politike në Beograd, mund të ketë befasi të pista”, transmeton Koha.net.

Në kafenetë dhe baret e veriut të Mitrovicës, tensionet në ngritje janë tema kryesore të bisedave dhe thashethemeve. Atje ekziston frika se një incident i vetëm serioz mund të provokojë domino efekt të dhunshëm.

“Natyrisht, njerëzit bëhen nervozë kur i dëgjojnë politikanët teksa flasin për luftën në televizion. Njerëzit këtu janë të gatshëm për luftë, për t’u vetëmobilizuar siç kanë bërë edhe më parë, dhe shumica e shtëpive kanë së paku 2 armë”, ka thënë Aca Mitiq, student 22 vjeç serb, që po e përziente makiaton e tij. “Nëse ndodh ndonjë incident [në shenjë hakmarrjeje për trenin], nëse dikush vritet apo lëndohet seriozisht, atëherë serbët do të përgjigjen”.

Duke folur nga zyra e tij në veri të Mitrovicës, Miodrag Miliqeviç, drejtor ekzekutiv i “Activ”, një OJQ që përfaqëson serbët në veriun e Kosovës, ka thënë se zhvillimet e fundit i shtohen “atmosferës veçse të tensionuar”.

“Këtu mund të kthehemi 18 mbrapa brenda vetëm një dite, një ore”, shton ai. “Kjo çështja e trenit i ka treguar të gjithëve se sa shpejtë mund të zhbëhet çdo normalizim i marrëdhënieve”.

Një zyrtar i lartë i komunitetit ndërkombëtar që punon në Mitrovicë, vendimin e Beogradit për të dërguar trenin për në Kosovë, e ka cilësuar si “luajtje e një loje të çmendur e të rrezikshme”, ndërsa ka akuzuar edhe BE-në se “vetëm po rri kot” në raport me eskalimin e tensioneve në rajon.

“Qortimet e lehta nuk janë zgjidhje e këtyre problemeve”, ka shtuar zyrtari që nuk ka dashur t’i përmendet emri pasi që nuk është i autorizuar të flasë me gazetarë. “Brukseli është i vetëdijshëm për ndodhitë këtu dhe duhet të del me qëndrim të prerë për t’i vënë frenat kësaj çështjeje”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img