Site icon PrishtinaPress

Senatori Menendez: Një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin nuk do të funksionojë

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, i është bashkangjitur thirrjes së dhjetëra politikanëve që i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Washingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Në një shkrim në Twitter, Menedez tha se është krenar për këtë nismë, për të të kërkuar nga qeveritë tona që të rishqyrtojnë qasjet e tyre në raport me Kosovën.

Ai theksoi se një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin nuk do të funksionojë.

“Jam krenar që bashkohem me Kryetarët transatlantik të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe ligjvënësve, duke përfshirë @aliciakearns, @MiRo_SPD & @ChairOlek, për të kërkuar nga qeveritë tona që të rishqyrtojnë qasjet e tyre ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin nuk do të funksionojë”, tha Menendez.

Deputetja britanike, Alicia Kearns, publikoi letrën që i është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly.

Ajo tha se kjo letër është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të Komiteteve për Punë të Jashtme dhe 56 deputetë.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Policia ka qenë e pranishme në objektet komunale që nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë kanë hyrë në zyra, me gjithë kundërshtimet e popullatës lokale serbe.

Kurti ka thënë më 12 korrik se 25 për qind e policëve nuk po tërhiqen nga veriu, por vetëm nga dhe rreth ndërtesave komunale dhe se ata do të vendosen në lokacione të tjera.

Hapa të ardhshëm për shtensionimin e situatës duhet të jenë takimi në kuadër të dialogut dhe organizimi i zgjedhjeve të reja.

Exit mobile version