Senatori amerikan, Chris Murphy, zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e konsideron jetike për të ardhmen euro-atlantike të të dyja vendeve.
Murphy tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Brukseli, mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe BE, ndaj është në të mirën e Kosovës dhe Serbisë që marrëveshja të zbatohet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se nga marrëveshja mund të rrjedhë edhe ndonjë rrezik politik, por që ky rrezik ia vlen të ndërmerret.
“Mendoj se është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Unë mendoj se është një rajon tepër i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Është një rajon ku nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë. Kam kaluar shumë kohë me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiçin dhe të dy kanë bërë, mendoj, lëvizje shumë të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Marrëveshja nuk është pa rrezik politik, por mendoj se është një rrezik që ia vlen të ndërmerret”, ka deklaruar senatori amerikan për Zërin e Amerikës.
“Së këndejmi Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, të cilët padyshim mbajnë çelësat e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian, do të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se do të jetë shumë e vështirë për secilin vend që t’u bashkohet atyre organizatave nëse nuk ka një tejkalim të dallimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha tutje ai.
Duke folur për kushtin për themelim të Asociacionit, senatori Chris Murphy konsideron se Kosova duhet t’ua ofrojë serbëve një shkallë të kufizuar të vetë-qeverisjes, pa cënuar strukturën e vendit.
I njëjti tha se nuk është synim as i ShBA-së dhe as i BE-së, që Asociacioni në Kosovë të shndërrohet në një Bosnjë tjetër.
“Dëgjoni, askush nuk e dëshiron një Bosnjë tjetër. Kjo nuk duhet të jetë e ardhmja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë kam biseduar me zotin Kurti në disa raste dhe i kam shpjeguar se në Shtetet e Bashkuara, kemi një qeveri të fortë federale. Ne kemi një ndjenjë të fortë të patriotizmit amerikan, por kemi gjithashtu qeveri të forta shtetërore”.
Chris Murphy është një avokat, autor dhe politikan amerikan nga Conneticut, i cili qysh nga viti 2013, shërben si senator i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Reporteri.net/.