Ai gjithashtu theksoi se Serbia duhet t’i inkurajojë banorët serbë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor.
“Nëse hyjmë në rrugën e shtensionimit, duke tërhequr njësitë speciale të policisë dhe duke organizuar zgjedhjeve të reja, mendoj që kemi një mundësi që gradualisht ta kthejmë dialogun në drejtimin e duhur,” deklaroi Murphy.
Murphy theksoi se do të preferonte që SHBA-të të merrnin një rol më aktiv në shtensionimin e situatës në rajon.
“Dua që ta konfirmojmë sa më parë ndihmës-sekretarin e ri për Evropën, (James O’Brien) pjesërisht për shkak se i emëruari i presidentit Biden për këtë pozitë ka një përvojë të gjatë në rajon. Shumë shpejt do të kemi një zyrtar të lartë të Departamentit të Shtetit të konfirmuar që e njeh Kosovën, e njeh Serbinë, e njeh rajonin dhe do të mund të mbështes përpjekjet e ambasadës tonë si dhe punën që po bën zoti Escobar. Kemi një mundësi reale që SHBA-të të shtojnë angazhimin pasi i emëruari i ri i presidentit Biden është emër i njohur dhe me përvojë në rajon”, tha ai.
Senatori Murphy u pyet edhe për vendimin e SHBA-ve për të sanksionuar shefin e zbulimit të Serbisë Aleksandar Vulin, zyrtar pro-rus i Serbisë, i afërt me presidentin serb Vuçiq.
“Nëse Serbia me të vërtetë e do një të ardhme si pjesë e Evropës, nuk mund ta ketë shefin e zbulimit të angazhuar në koordinim të hapur me rusët në këtë kohë. Dhe ua kemi bërë të qartë jo vetëm Serbisë, por të gjithë miqëve tanë, se do të ketë pasoja nëse vendosin të mos ju bashkohen sanksioneve, nëse janë pjesë e aktiviteteve sekrete me rusët. Ne duam që Serbia të jetë pjesë e lëvizjes euro-atlantike, duam që ata të kenë të ardhme europiane”, tha ai.
Por një ish-ligjvenës amerikan, ish kryetari i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, shpreh kritika ndaj qëndrimit të Departamentit të Shtetit për mënyrën se si po i qaset tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës.
Në një artikull-opinion të botuar në revistën ‘Foreign Policy’ të martën, Engel shkruan se “Shtetet e Bashkuara po e ledhatojnë Vuçiçin, një gjysmë-autokrat bullist dhe se në rrugë e sipër, po mbajnë vetë një qëndrim disi bullist ndaj Kosovës, duke i bërë presion vendit më të vogël dhe më të dobët”.
“Ky qëndrim nuk u bën nder Shteteve të Bashkuara dhe ka ardhur koha të ndryshojë”, shprehet ish ligjvenësi Engel.