Site icon PrishtinaPress

Seminari i Rose-Roth, dita e dytë nis me adresimin e Kurtit

Ka filluar në Prishtinë Seminari i 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme“

Sot prej orës 9:15, në Hotelin “Swiss Diamond” në Prishtinë seminari vazhdon punimet në ditën e dytë me adresimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Gjatë ditës në një prej paneleve do të marrë pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë deputetë nga vende anëtare të NATO-s dhe vendet partnere, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ftuar të tjerë, po marrin pjesë në takimin treditor, i dyti i këtij lloji në Kosovë.

Të shtunën, seminarin e hapi kryesuesi i delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, deputeti Driton Hyseni, i cili edhe moderoi pjesën hyrëse të këtij takimi.

Ndërsa në fjalën e tij të mirëseardhjes, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, u fokusua në agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që ky agresion ka shkaktuar në sigurinë globale.

Kreu i Kuvendit tha se e gjithë bota demokratike është mobilizuar dhe organizuar për ta konfrontuar këtë invazion të papranueshëm ushtarak të Rusisë, i cili po shoqërohet edhe me aneksimin më të madh të territorit qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, shtoi kryetari Konjufca, agresioni rus nuk e frikëson botën demokratike. Përkundrazi, sipas tij, ajo është unifikuar si kurrë ma parë pas vitit 1989, për ta frenuar ekspansionizmin ushtarak rus.

“Asnjëherë prej kur ra Muri i Berlinit në mes të Evropës, që çoi drejt bashkimit të kontinentit tonë, nuk ka pasur vit si ky i cili e qartëson përpjekjen e forcave antidemokratike për ndarjen e botës në dy hemisfera gjeopolitike. Hemisfera e parë është ajo demokratike e cila e ka ndërtuar edhe aleancën më të fuqishme ushtarake moderne, NATO-n. Hemisfera tjetër e vendeve autokratike po dominohet nga Federata Ruse, tash edhe përmes hegjemonizmit të paprecedent në shekullin tonë, duke i kërcënuar drejtpërdrejt edhe shtetet e BE-së“, tha kryetari Glauk Konjufca.

I pari i legjislativit tha se lufta e Ukrainës nuk është thjesht luftë e një populli për çlirim nga pushtimi i padrejtë, por luftë e të gjithëve për kompletimin global të demokracisë. Republika e Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, natyrshëm dhe fuqishëm është rreshtuar me botën demokratike, duke qenë e koordinuar me politikën e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve kundër Federatës Ruse.

Duke hedhur paralele midis Milosheviqit në rastin e Kosovës dhe të Putinit në rastin e Ukrainës, kryetari i Kuvendit tha se kjo është një politikë psikopatologjike e subordinimit, terrorizimit dhe e mospranimit të shteteve të lira, të cilat në mënyrë demokratike duan të vendosin vet se cilës aleancë ushtarake t’i përkasin dhe në cilën bashkësi politike të vlerave të marrin pjesë.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një bashkëpunim të ngushtë me Aleancën Veriatlantike. NATO-ja kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë e shtetit tonë. Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO“, theksoi në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.

Duke marrë fjalën në seminar, presidentja Vjosa Osmani tha se ajo përfaqëson një popull që ka qenë viktimë e gjenocidit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, përderisa ishin sakrifica e vërtetë dhe qëndrueshmëria që sollën deri tek liria e fituar me gjak e me djersë.

Presidentja Osmani tha se pjesëmarrësit e këtij seminari vijnë në vendin dhe në kohën e duhur për shkak se adresohen më shumë se sa perspektiva të ardhshme.

“Për Kosovën integrimi euroatlantik ka qenë më shumë se sa thjesht një deklaratë e zbrazët. Ajo gjithmonë ka qenë dhe do të jetë një interes vital, strategjik kombëtar“, theksoi presidentja Osmani, duke e konsideruar me rëndësi për secilin anëtar të NATO-s që ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe.

Në vijim fjalën e mori ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Klly, duke vlerësuar lart faktin që Kosova është nikoqire për herë të dytë e Seminarit Rose Roth, si dëshmi e zotimit dhe përkushtimit të saj për përmirësimin e sigurisë në Ballkan dhe Evropë.

Ambasadori zviceran foli për rolin shumëfishtë të Zvicrës në rajonin e Ballkanit, si dhe për pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Nëpërmjet videomesazhit, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald E. Connolly, u fokusua tek agresioni rus, duke e konsideruar atë si përpjekje për të shkatërruar demokracinë në Ukrainë dhe kudo tjetër.

Connolly theksoi rëndësinë që Ballkani Perëndimor dhe shtetet euroatlantikë të punojnë ngushtë për të penguar fuqitë destabiliziuese dhe për të punuar për stabilizimin e metëjmë të rajonit.

Po në këtë frymë ishte edhe diskutimi i Dimitar Bechev, Ligjërues i Studimeve Globale në Universitetin e Oksfordit, në temën: sfidat e mbetura dhe perspektiva e ardhshme për Ballkanin Perëndimor në një mjedis të ndryshueshëm të sigurisë evropiane.

Gjatë fjalës së tij, Bechev u fokusua tek efektet që lufta në Ukrainë mund të ketë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sic janë ato në ekonomi, sidomos në energjitikë, por edhe te lufta informative dhe propaganduese e Moskës.

Sesioni i Parë i Seminarit, me temën: Mbështetja e NATO-s për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, u moderua nga Mimi Kodheli, zëvendëspresidente e AP-së së NATO-s dhe Shefe e Delegacionit Shqiptar në AP të NATO-s.

Në këtë sesion, me diskutimet e tyre kontribuuan Drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Gjeneral brigade Joachim Hoppe, i cili foli lidhur me mbështetjen e zhvillimit të organizatave të sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimit, ndërsa në emër të komandantit të KFOR-it, Genjeralit Ferenc Kajari, për kontributin e KFOR-it për një mjedis të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë në Kosovë diskutoi Aleksandër Almo, zv/këshilltar politik.

Punimet vijuan me pyetje nga ana e pjesëmarrësve dhe përgjigjet e panelistëve për temat e trajtuara.

Në sesionet e pasdites panelistë dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës e të vendeve të ndryshme anëtare të NATO-s, diskutuan për reformën në sektorin e sigurisë në Kosovë, për perspektivën evropiane të rajonit dhe hapat në këtë proces, si dhe për situatën ekonomike të rajonit pas COVID-19.

Nën moderimin e zëvendës-shefes së Divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore, Antje Fritz, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, foli për qeverisjen e sektorit të sigurisë në Kosovë, duke kërkuar bashkëpunim me shtetet partnere për angazhime të tjera të FSK-së në misionet paqeruajtëse nëpër botë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Diskutimi i deputetit Anton Quni, anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës, ndërkaq, u fokusua në mbikëqyrjen parlamentare mbi institucionet e sigurisë në Kosovë.

Për përfshirjen e pakicave dhe pjesëmarrjen e grave në institucionet e sektorit të sigurisë së Kosovës, foli drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli.

Hapat që duhet ndërmarrë rajoni në procesin e integrimit evropian ishte sesioni i radhës, të cilin e drejtoi zëvendës-shefi i Delegacionit portugez, njëherësh kryetar i Nënkomitetit të AP të NATO-s për Partneritetet e NATO-s (PCNP) dhe Ushtrues i Detyrës së Raportuesit të PCNP, Marcos Perestrello De Vasconcellos.

Diskutuesi i parë në këtë sesion ishte zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili foli për progresin që ka bërë Kosova në rrugën e integrimit evropian, por edhe sfidat që ajo ka para vetes. Ai tha se ekziston vullneti për t’u bërë bashkë me vlerat dhe standardet evropiane, përderisa shprehu besimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë së shpejti.

Zëvendëskryeministri Bisimi tha se dialogu me Serbinë nuk ka pasur objektiva të qarta ndërsa shtoi se distanca midis dy vendeve është me e largët se në vitin 2011.

Pikëpamjen e BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor, para pjesëmarrësve e paraqiti AnnaCarin Platon, shefe e Seksionit për Politikë, Integrime Evropiane, Media dhe Informim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Gjatë fjalës së saj, Platon tha se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se rruga e integrimit nuk është e lehtë, por është rrugë të cilën Kosova e ka zgjedhur dhe e cila ia vlen.

Për situatën ekonomike të rajonit pas COVID-19, përkatësisht mbështetjen e rimëkëmbjes dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme, diskutoi ministrja e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli. Gjatë fjalës së saj ajo elaboroi qasjen e Kosovës ndaj lidhjes ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë, ndërsa u fokusua te sektori i energjisë dhe hapat që janë ndërmarrë dhe po ndërmerren për menaxhimin e tij, pas efekteve që ka krijuar lufta në Ukrainë.

Ministrja tha se duhet të vazhdohet subvencionimin, përfshirë masat për ngrohje efiçiente.

Një vështrim të përgjithshëm mbi situatën ekonomike në Ballkanin Perëndimor e paraqiti ekonomisti Besart Myderrizi nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë, ndërsa analisti i lartë politik nga EOCD, Umur Gökçe, u ndal te perspektiva 2021 e OECD-së për Konkurrencë në Ballkanin Perëndimor.

Sesioni u moderua nga Michal Szczerba, Raportues i Nënkomitetit të AP të NATO-s për Tranzicion dhe Zhvillim. /kp

Exit mobile version