Site icon PrishtinaPress

Selmani: Sektori shëndetësor në pozitë të vështirë, ka mungesë të mjekëve e infermierëve

Drejtori i ri i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi po vlerësohet si i pa përvojë në fushën menaxheriale nga deputetët e opozitës. Ndërsa nga Sindikata e Punëtorëve të QKUK-ës, shpresojnë se nuk do të ketë ndërhyrje politike në punën e drejtorit Azizi.

Zgjedhja e drejtorit të ri të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi nuk duket shumë shpresëdhënëse për deputetët e opozitës që janë anëtarë të Komisionit për Shëndetësi.

Bekim Haxhiu deputeti i PDK-së njëherit edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi thotë për Radio Kosovën  se   me emërime të tilla nuk është qëllim zgjidhja e problemeve në SHSKUK, por vetëm kapja e pozitave.

“Me  ikjen e mjekeve jashtë vendit, shëndetësia jonë është buzë kolapsit Arben Vitia po i kap pozitat kyçe ne shëndetësi, këshilltarin e bën drejtor, sekretarin e ka bërë kryesus bordi. Dhe qëllimin e ka me i kap pozitat jo me i zgjidhë problemet e shëndetësisë”, tha ai.

Se nuk pret asnjë ndryshim ne SHSKUK- pas përzgjedhjes së drejtorit të ri e thotë edhe Shemsedin Dreshaj,  deputet i AAK-se  në Komisionin për Shëndetësi. Ai thotë për Radio Kosovën  se drejtorit aktual nuk ka pasur përvojë menaxheriale të dëshmuar.

“Unë nuk pres asnjë ndryshim në QKUK , përderisa nuk përzgjedhet shëndetësia si prioritet qeverisës. Performancë që do të len shumë për të dëshiruar. Unë nuk pres ndonjë ndërrim të madh dhe përvoja menagjeriale e doktor Elvirit  është pak e dëshmuar”, tha ai.

Ndërsa Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhemajl Selmani,  thotë se nëse nuk do të ketë ndërhyrje politike, atëherë drejtori i ri edhe mund të jetë i sukseshëm

“Vështirësi ka sa te duash, kemi mungesa të mëdha të infermierëve, pastaj ne klinika  të ndryshme kemi mungesa të mëdha  të mjekeve por shpresoj që nëse nuk ka ndikime negative politike  Elviri do të jetë i suksesshëm”, tha ai.

Elvir Azizi, ka pranuar detyrën si drejtori i ri i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës ditë më parë. Azizi kishte fituar më së shumti pikë në konkurs. Ai ka qenë ish-ekspert i jashtëm i Bankës Botërore për Ministrinë e Shëndetësisë.

Exit mobile version