Dy shtetas shqiptarë, 30 dhe 34 vjeç, janë arrestuar nga policia greke në afërsi të qytetit të Filatit, në Thesprotose, duke transportuar një sasi prej 87 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.
Sipas policisë greke, lënda narkotike ishte dërguar nga Shqipëria nëpërmjet kufirit në shtigjet malore, në afërsi të Konispolit dhe ishte fshehur në një shtëpi të pabanuar, në afërsi të vendit ku edhe iu sekuestrua dy të arrestuarve.
Ajo ishte mbështjellë në 59 pako të vendosura në katër thasë.
Gjithashtu, gjatë verifikimeve nga policia u konstatua se ndaj dy të arrestuarve rëndonte edhe masa e pezullimit të hyrjes në zonën Schengen.
Ata u dërguan për masën e sigurisë në Gjykatën e Igumenicës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.