Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, ka thënë se nga i akuzuari Begzat Musliu nuk ka kërkuar që të bëjë një auditim të brendshëm të jashtëzakonshëm lidhur me Divizionin e Prokurimit për tenderin e ndërtimit të urës në zgjerimin e rrugës nacionale segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacionin Drelaj.
“Jo, do të thotë kërkesë për auditim të jashtëzakonshëm nuk kam bërë, as në formë me shkrim dhe as në forme verbale, sepse kërkesat për auditim bëhen në formë të shkruar”, tha Bytyqi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bashkim Zeqaj.
Këtë deklarim, Bytyqi e ka thënë në seancën e së premtes, në cilësinë e dëshmitarit, në gjykimin ndaj drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) Begzat Musliu dhe ish-drejtorit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K., Naim Sallahu të cilët akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast, Musliu po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Sallahu po akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas dëshmitarit Bytyqi, kërkesat e tilla janë të përcaktuara me ligjet e kontrollit të brendshëm e të cilat sipas tij zakonisht i kërkon ministri.
Mirëpo, në raste të caktuara kur ka ndonjë situatë të paqartë Bytyqi ka thënë se edhe si sekretar mund të kërkojë të bëhet një auditim por gjithmonë duke qenë në njohuri edhe ministri.
E nëse do i kërkohej të bëhej një kërkesë e tillë, Bytyqi ka treguar se atë do ta kishte bërë në dy raste.
“Para një vendimmarrje kur nuk kisha qene i sigurt diçka, dhe rasti i dytë nëse kisha dyshuar për ndonjë shkelje që është bërë kisha kërkuar auditim. Mirëpo, në këtë rast nuk kam dëshmi që i kom kërku auditim me shkrim”, ka thënë tutje ai.
Ndërsa, kërkesën për auditim në formë verbale, ai tha se nuk ka praktikuar asnjëherë.
Ndërkaq, në lidhje me njohurit e tij si sekretar në lidhje me këtë auditim të jashtëzakonshëm, ai ka thënë se fillimisht përfaqësuesi i Kompanisë Sallahu ka ardhur në zyrën e tij dhe ka kërkuar takim.
Këtë takim, përfaqësuesi i Kompanisë “Sallahu” Sh.P.K sipas Bytyqit e kishte kërkuar për shkak të një ankese për futjen në listën e zezë nga Divizioni i Prokurimit në kuadër të ministrisë.
I njëjti tha se në këtë takim i ka thirrur edhe dy zyrtarë tjerë nga ministria, njërin nga zyra ligjore dhe një zyrtar nga njësia e auditimit.
Ai kishte kërkuar që në takim të merrte pjesë udhëheqësi i njësisë së auditimit në këtë rasti i akuzuari Musliu, por i njëjti nuk kishte qenë i pranishëm në zyre.
“Dhe në këtë takim përfaqësuesi i kompanisë i ka paraqitur ankesat e tij në lidhje me futjen e kompanisë se tij në listën e zezë nga Divizioni i prokurimit brenda ministrisë, edhe kur ka përfundu takimi unë dy zyrtarëve që ishin të pranishëm ju kam thënë që të takohen me Valmirën Bllacën, udhëheqësja e prokurimit, edhe me ja i paraqit shqetësimet e kësaj kompanie”, ka thënë tutje ai.
Takimet me përfaqësuesin e Kompanisë “Sallahu”, Bytyti tha se i ka mbajtur vetëm për shkak të mirësjelljes, pasi që sipas tij, takimet që kanë të bëjnë me prokurim publik nuk i mban.
Tutje, sipas tij, në lidhje me këtë rast ai tha se është marrë një vendim nga OSHP-ja, mirëpo përmbajtja e atij vendimi nuk i kujtohej.
Gjithashtu, Bytyqi ka thënë se raportin që e ka bërë auditori i brendshëm nuk e ka pasur në dorë para se të dërgohej në OSHP.
“Pastaj e kam kuptu se edhe bërë një raport lidhur me këtë rast i përpiluar nga auditori i brendshëm”, ka thënë ai.
E prokurori Zeqaj, këtu ndërhyri e i tha dëshmitarit Bytyqi, se auditori i brendshëm Musliu, në deklaratën e tij në polici dhe në prokurori kishte theksuar se ka pasur kërkesë nga Izedin Bytyqi për të kryer këtë auditim, ndërsa Bytyqi tha se nuk ka bërë kërkesë për t’u bërë ky auditim.
Lidhur me këtë çështje, ai tha se ka kishte biseduar me drejtoreshën e prokurimit dhe sipas saj është vepruar drejt.
Si sekretar, ai deklaroi se për procedurat e prokurimit nuk ka asnjë kompetencë përveç vendimeve për themelim të komisioneve të cilat bëhen në bazë të propozimit të departamenteve.
Ndërsa, me divizionin e prokurimit, Bytyqi tha se është çështje administrative, pune të përditshme e kërkesa të ndryshme.
“Mirëpo sa i përket procedurës e praktikoj dhe konsideroj se asnjë kompetencë nuk e kam”, tha ai.
Tutje, ai ka thënë se nga udhëheqësja e prokurimit Valmira Bllaca ka qenë i njoftuar për kërkesën e saj për futjen në listë të zezë të Kompanisë Sallahu, por i njëjti tha se nuk i kujtohej a para dërgimit të kërkesës apo pas dërgimit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi, Bytyti ka pohuar se e ka pranuar raportin e jashtëzakonshëm në lidhje me këtë çështje nga i akuzuari Musliu.
Sipas tij, në raportin e auditimit do të duhej të konstatohej se sipas kërkesës së kujt është bërë auditimi, por tutje ai tha se nuk i kujtohet se në çfarë bazë ishte konstatuar.
Ndërsa, i njëjti tha se nuk ka përgjigje se pse nuk kishte kërkuar sqarim nga auditori se pse është bërë ky auditim.
Në këtë seancë, është dëgjuar edhe dëshmitari Lahudin Myrtaj, i cili ka deklaruar se ka qenë menaxher në projektin për ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë.
Obligimet e tij si menaxher, Myrtaj tha se janë kryesisht me pjesën e ndërtimeve dhe bashkëpunimi me stafin.
“Pasi të merret vendimi për menaxhim të kontratës, në bashkëpunim me punëmarrësin bëjmë takimet si menaxher dhe stafi teknik i kompanisë dhe bëjmë planin për menaxhimin e fillimit të punimeve deri në përfundim”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai tha se si menaxher ka punuar me inxhinierin kryesor të kompanisë e cila është caktuar për menaxhimin të po asaj kontrate.
Në këtë projekt ai tha se për punë gjeodezike ka punuar me Shaban Krasniqin dhe djalin e tij Liridon Krasniqi.
Ndërsa, personin Fadil Shehu i cili në këtë çështje penale ka qenë pjesë e akuzës dëshmitari Myrtaj tha se nuk e njeh atë e as nuk ka pasur kontakte me të njëjtin.
Tutje, dëshmitari Myrtaj ka thënë se gjatë kryerjes se punimeve Kompania “Sallahu” Sh.P.K nuk ka paraqitur kërkesë për ndërrim të stafit.
Myrtaj tha se si menaxher i terrenit, nëse bëhet ndërrimi i stafit kryesor të projektit ai njoftohet nga kompania dhe nga aty i njëjti tha se pastaj njofton drejtorin e prokurimit për ndërrim të stafit të atij projekti.
Ndërsa, si menaxher i kontratës ai tha se nuk e ka pasur për obligim me pas listën e punëtorëve të kompanisë që janë të angazhuar në projekt.
Sipas Myrtaj, projekti ka përfunduar me sukses.
Të dy dëshmitarët Bytyqi dhe Myrtaj deklaruan se qëndrojnë pranë deklarimeve të dhëna më parë.
Ndryshe, paraprakisht në këtë seancë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zeqaj, të akuzuarit Musliu dhe Sallahu janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që ju vihen në barrë.
Po ashtu, është dhënë edhe fjala hyrëse nga prokurori Zeqaj, dhe mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Flamur Bllacaku dhe Qëndrim Arifaj.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 31 tetor 2023.
Ndryshe, në këtë çështje penale pjesë e akuzës ka qenë edhe Fadil Shehu, i cili ngarkohej me veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”, por për të njëjtin është veçuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë dhe ndaj tij ka përfunduar procedura.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Musliu, më 3 nëntor 2020, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjin për Auditimin e Brendshëm të Financave Publike, miratimin nga udhëheqësi i subjektit të sektorit publik, ministri apo sekretari i përgjithshëm, ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit me titull “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacionin Drelaj”, të datës 4 nëntor 2020.
Sipas akuzës, i pandehuri Musliu ka vepruar vetëm me kërkesë të Operatorit Ekonomik (OE) “Sallahu” Sh.P.K, që është e ndaluar me ligj, po ashtu i pandehuri jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar raportin e auditimit në favor të këtij operatori me qëllim të krijimit të dobisë për kompaninë “Sallahu” Sh.P.K.
Tutje, në akuzë thuhet se këtë i pandehuri Musliu e ka bërë pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk ka pasur autorizim, të cilin raport jashtë procedurave e ka dërguar përmes arkivës në Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), të njëjtin i ka dërguar Operatorit Ekonomik, ku i pandehuri përmes dërgimit të raportit të tij në OSHP ka ndikuar që ky organ raportin e tij ta konsiderojë si provë relevante.
Gjithnjë sipas aktakuzës, duke theksuar se i falë besimin këtij raporti meqenëse “Njësia e Auditimit e ka marrë përsipër dhe përgjegjësinë dhe ka konstatuar se nuk ka pasur falsifikim të dokumenteve”, nga ana e operatorit ekonomik “Sallahu” Sh.P.K Kaçanik dhe si rezultat i kësaj kërkese të drejtoreshës së Prokurimit është refuzuar nga OSHP, që OE “Sallahu” Sh.P.K të futet në lisën e zezë të OSHP-së.
Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se më 28 gusht 2020, në Ministrinë e Infrastrukturës, i pandehuri Naim Sallahu me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në këtë procedurë.
Sipas akuzës, Sallahu në pozitën e pronarit të kompanisë “Sallahu” Sh.P.K, ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar në aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Pejë-Kuqishtë, lokacioni Drelaj”, në të cilën lëndë ka prezantuar referenca për gjeodetin Fadil Shehu, se i njëjti kinse kishte punuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë”, dhe në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), lot1”, por në projektet në fjalë nuk ka qenë i angazhuar gjeodeti Fadil Shehu.
Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në dispozitivin e tretë, Fadil Shehu ngarkohej me veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”, nga neni 383, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kësaj pike të akuzës, i pandehuri Shehu, më 10 gusht 2021 në cilësinë e dëshmitarit në polici ka dhënë deklaratë nën betim, ku me dijen e tij e ka fshehë faktin, ashtu që në ofertën e tenderit në Ministrinë e Infrastrukturës me titullin “Ndërtimin e urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Peje-Kuqishtë, lokacioni Drelaj”, të paraqitur nga OE “Sallahu” Sh.P.K ku ky operator ekonomik kishte prezantuar referenca kinse Shehu ka punuar në projektet “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë”, dhe “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik), lot1”.
Tutje, në këtë dispozitiv thuhet se pas verifikimit të kryer në lëndën e prokurimit dhe në të dhënat e ATK-së, deklaratës së menaxherit të kontratës për projektin segmenti Belnicë, deklaratës së parë të të pandehurit më 10 gusht 2021, del se i pandehuri lidhur me këtë datë i ka dy deklarata, ku në njërën ka thënë se ka punuar (paradite) kurse në deklaratën tjetër ka thënë se ka punuar pasdite, ku pas vërtetimit të gjendjes faktike është vërtetuar se Shehu nuk ka punuar në projektet në fjalë, gjë që e ka pranuar edhe në prokurori më 14 qershor 2022, se nuk ka punuar në kompaninë “Sallahu” Sh.P.K në tenderin segmenti “Belnicë”./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.