Site icon PrishtinaPress

Sekretari Blinken: Kosova ishte në qendër të shqetësimit tonë, s’duam rikthim të konflikteve në Ballkan

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se gjatë takimit në Bruksel të ministrave të Jashtëm të NATO-s kanë diskutuar për rolin e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në promovimin e paqes.

Kryediplomati amerikan tha se gjëja që nuk duan të shohin në këtë rajon është rikthimi i konflikteve.“Kur kam nisur këtë karrierë, në qendër të shqetësimeve tona ka qenë Ballkani. Në qendër të shqetësimit tonë dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishte Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova.

Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian”, tha ai, duke shtuar se NATO për një kohë të gjatë është shtyllë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Blinken foli edhe për tensionet në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, që kanë nisur në maj dhe që kanë kulmuar në shtator, pasi një grup i armatosur serbësh kreu sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës.

Më 24 shtator, grupi i armatosur i serbëve vrau rreshterin Afrim Bunjaku, ndërkaq në përleshjet e armatosura që u zhvilluan gjatë ditës, u vranë edhe tre sulmues serb.

“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Siç e kemi edhe më herët gjatë këtij viti, me kemi dislokuar trupa shtesë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR. Po ashtu kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve”, tha Blinken.

Një ditë më herët, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor.

Ai premtoi se aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon.

Shefi i NATO-s ka paralajmëruar se në takimin e 28 dhe 29 nëntorit në Bruksel do diskutohet mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR.

Pas sulmit në Banjskë, NATO ka forcuar tashmë praninë e saj ushtarake në Kosovë – e krijuar pas fushatës së bombardimeve kundër Serbisë në vitin 1999 – me rreth 1.000 trupa shtesë dhe armatime më të rënda, duke e çuar trupat e saj në Kosovë në 4.500.

Sulmi në Banjskë, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Autoritetet në Kosovë dhe Serbi po zhvillojnë hetime të ndara për këtë ngjarje, përderisa Prishtina ka kërkuar ekstradimin e Radoiçiqit.

Faktori ndërkombëtar, ndërkaq, u ka bërë thirrje palëve të mos nxisin tensionet dhe të rikthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja. /REL

Exit mobile version