Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nuk do të takohet me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov në Gjenevë, që ishte paraparë të ndodhë gjatë kësaj jave.
Ky është një sinjal se bisedimet mes Washingtonit dhe Moskës rreth krizës në Ukrainë, janë zbehur paksa, transmeton Telegrafi.
“Kur po e shohim se po fillon pushtimi dhe se Rusia na e ka bërë të qartë se po hedh poshtë diplomacinë, nuk ka kuptim të vazhdohet me këto takime në këto momente. Jam konsultuar me aleatët dhe partnerët tanë, dhe të gjithë po pajtohen”, tha Blinken.
Ai theksoi se të martën i ka dërguar letër Lavrovit për ta informuar për vendimin e marrë. Blinken tha se Shtetet e Bashkuara akoma janë të angazhuara për diplomaci.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin pranoi si dy shtete të pavarura rajonet separatiste në lindje të Ukrainës – ku madje ka paralajmëruar dërgimin e forcave ruse.