Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve.
Në një shkrim në Twitter, Blinken tha se shqiptarët e Kosovës, dikur refugjatë, ndërsa sot kanë demonstruar gadishmërinë për t’i kontribuuar paqes dhe sigurisë globale.
“Falënderoj Qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve. Qytetarët e Kosovës, shumë dikur refugjatë vetë, përsëri kanë demonstruar gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale”, tha Blinken.
Ndërkaq, deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.
Përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet anëtare të NATO-s.