Sejdiu tregon pse po vonohet konfirmimi apo hedhja e poshtë e aktakuzës për Thaçin e Veselin

60
Advertisement

Avokati dhe ish-deputeti Korab Sejdiu tha se mospublikimi i aktakuzës së konfirmuar apo hedhjes poshtë të saj për rastin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, është shumë kontrovers “sikurse që është vetë Gjykata Speciale”.

Advertisement

Ai shpjegoi se janë disa pika në rregulloren e Gjykatës Speciale që s’e definojnë qartë rastin konkret.

“Gjykata punon në bazë të rregullores, ku në një pikë të saj thuhet që gjyqtari i procedurës paraprake duhet të merr një vendim brenda gjashtë muajve. Por kjo periudhë kohore ka skaduar. Por njëkohësisht ky rregull thotë se aktakuza duhet të bëhet publike më së largu deri në paraqitjen e parë të të pandehuri para gjyqtarit të procedurës paraprake. Pra, janë një mori rregullash që e adresojnë këtë çështje. Rregulli tjetër thotë që paraqitja e parë e të pandehurit duhet me ndodhë brenda shtatë ditësh prej kur i pandehuri e ka pranuar aktakuzën. Është edhe një rregull shtesë që thotë se kur aktakuza konfirmohet duhet t’i dorëzohet të pandehurit pa vonesa të përligjura”.

Sejdiu tha se procesi mund të është vonuar edhe për çështje të përkthimit pasi që duhen përkthyer prova që janë me qindra-mijëra për t’iu dorëzuar të pandehurit në një gjuhë që e njeh. Po ashtu, si arsye tjetër ai radhiti edhe atë se gjyqtari mund të ketë kërkuar informata shtesë dhe s’ka mundur ta marrë vendimin.

Ai në Edicionin Special tha se gjykatat që operojnë si duhet nuk duhet të jenë nën ndikim të presionit publik sepse duhet të operojnë mbi bazën e ligjit.

“Një gjykatë normale s’e ka vëmendjen se çka po pret publiku. Ne kemi dështuar të ndërtojmë një sistem të drejtësisë që dënon për krimet e luftës dhe kjo ka hapur rrugë që të tjerët të kërkojnë formimin e krijesave sikur Gjykata Speciale, qe cila është e Kosovës por në fakt s’është. Ky është rast i veçantë sepse s’kam parë ndonjë gjykatë të tillë diku tjetër”.

Por, Sejdiu shtoi se çdo përpjekje për ta zhbërë Gjykatën Speciale është e kotë, meqë Kosova po ashtu përpiqet për ndërtimin e shtetësisë së saj edhe në raport me shtetet e tjera.

“Përpjekjet tona të përgjithshme dhe qëllimi ynë duhet të jetë që ta mbajmë të pastër luftën e UÇK-së. Përpjekjet tona tash duhet të fokusohen në mbrojtje të denjë të dhe jo të shpenzojmë përpjekje koti që ta zhbëjmë diçka që ka përfunduar. Krimet individuale s’mund t’i atribuohen luftës së shenjtë të popullit shqiptar për ta mbrojtur pragun e shtëpisë”.

PostAdssFotoja e reklamës