Sejdiu: Liberalizimi s’do të ndodhë para 2020-s

97
Advertisement

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në Intervistën e Javës në Koha.net, ka folur ndër tjerash edhe për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave. Është shprehur i bindur se liberalizimi s’do të ndodhë para vitit 2020.

Advertisement

“Nuk jam ithtar i dhënies së datave në formën s’i jepen e janë dhënë edhe më herët dhe ne e mbajmë mend. Janë iluzione të ndërtuara në kokat e atyre që premtojnë, e nganjëherë sjellin dëshpërime. E rëndësishme është që Kosova të bëjë punën e vet, sepse nuk është që Kosova nuk ka rezultate në përgjithësi, por në të njëjtën kohë ka edhe sfida të cilat praktikisht mund të jenë pengesë për një hapje të derës të karakterit të këtij procesi”, thotë Sejdiu.

Sejdiu në intervistën e Javës në Koha.net thotë se është e ngutshme të jepen data të caktuara për liberalizim, por ka një prognozë që s’ndodh para 2020-s.

“Unë kam një prognozë që liberalizimi i vizave s’do të ndodhë para vitit 2020, kjo në bazë të informacioneve e komunikimeve që kam”, tha Sejdiu.

Sejdiu tutje thotë se vet natyra e problemeve që ka Kosova, posaçërisht me çështjen e papunësisë, goditjes së drejtpërdrejtë në gjeneratën e re, siç shprehet ai, kur ajo në njëfarë mënyre reflekton me frikën se nuk e ka perspektivën, ajo e shqetëson.

“Ky mund të jetë një tip i trembjes që ka ndodhur edhe me vendet tjera, pa liberalizim por me çështjen e anëtarësimit. Ta zëmë momentet kur Bullgaria e Rumania janë bërë anëtare të BE-së, sa është derdhur nga dy vendet, diku kanë kaluar mbi 3 milionë njerëz dhe kanë shkuar në vende të ndryshme të Evropës. Dhe kjo të ndodhë edhe me Kosovën? Në fakt, Kosova nuk ka atë numër dhe nuk e ka trysninë e madhe që mund të çrregullojë ritmin e jetës në vendet e BE-së, por sido që të jetë, do të ketë pasoja për vetveten”, u shpreh Sejdiu.

PostAdssFotoja e reklamës