Site icon PrishtinaPress

Sejdiu: Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të krijohet, por se ai nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Ai në një intervistë për “Lajmet e Fundit” në RTK, ka theksuar se Gjykata Kushtetuese e ka dhënë vendimin e saj në lidhje me Asociacionin dhe tani nuk duhet lejuar që të dilet jashtë asaj çfarë ka parashikuar kjo gjykatë.

“Gjykata e ka dhënë mendimin e vet dhe këta janë të obliguar të shqyrtojnë atë mundësi të zbatimit të tij. Do të krijohet një Asociacion, por nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Me fjalë tjera, s’do të jetë përfaqësues siç e trumbetojnë sot me pompozitet serbët se përmes tij do të kenë delegatët e vetë në Kuvend e forma tjera. Është një rrugë tepër dinake dhe tepër djallëzore për të institucionualizuar atë mekanizëm, e i cili sipas Ahtisarit nuk ka kompetenca ekzekutive. Është një lloj i kompetencave mbështetëse teknike, këshillëdhënëse, të ndarjes së përvojave të mira të njërës komunë me tjetrën, që nuk i ndalon të bashkëpunojnë edhe me komunat me shumicë shqiptare apo edhe me komuna nga shtetet evropiane. Por, kjo nuk nënkupton assesi që të krijohet nivel i dytë i pushtetit, nuk nënkupton të thyhet karakteri unitar i shtetit”, ka theksuar Sejdiu.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet ta ketë nevojën e zhagitjes së gjatë të këtij procesi, teksa ka thënë se Serbia synon që nëpërmjet zhagitjes ta komprementojë krejt procesin e dialogut.

“Janë partnerët e Kosovës që janë shumë të interesuar që ta përfundojnë këtë tension ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i iniciuar si gjithmonë nga Serbia, dhe është për herë të parë një aktivizëm i plotë, përveç asaj marrëveshjes në Uashington nga presidenti Trump, që të shpejtohet me procesin. Pse të shpejtohet, sepse Serbia qasjen themelore e ka prolongimin e procesit, me përpjekje për të hedhë barrë mbi Kosovën, siç ishte ajo e javëve të kaluara me pikat kufitare”, ka shtuar Sejdiu.

Exit mobile version