Anëtarët e Komisionit për Peticione nuk arritën të merren vesh rreth një date për seancën ku do të diskutohet për vdekjen e Astrit Deharit.
Pas më shumë se një orë debati, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione nuk kanë arritur të pajtohen që t’i rekomandojnë Kryesisë së Kuvendit një datë konkrete për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme ku do të flitet për Astrit Deharin.
Por, kjo është datë në të cilën të gjithë anëtarët e këtij komisioni janë në vizitë studimore jashtë Kosovës.
Si rrjedhojë, “Vetëvendosje” e AAK-ja kërkuan që seanca të mbahet këtë javë, por i kryetarja Kajtazi iu kundërpërgjigj dy partive opozitare.
“Citoj nenin 69, pikën 4 të Kushtetutës, e cila përcakton se kush mund të thërras seancë të jashtëzakonshme: Presidenti, Kryeministri e 1/3 e deputetëve,” tha Kajtazi.
Ndërsa deputeti i VV-së Mytaher Haskuka kërkoi nënshkrimin edhe të një deputeti që të mblidhen 40 nënshkrimet e nevojshme me të cilat do të kërkohej që seanca për Deharin të mbahej të premeten.
“Javën e ardhshme janë gjykimet e disa deputetëve tanë e ne [komisioni] jemi në vizitë studimore. Meqë i kemi 39 nënshkrime, i kisha lut deputetët me u nënshkru që të mbahet seanca të premten,” tha Haskuka.
E deputetja e PDK-së Mexhide Topalli-Mjaku pati vërejtje në nënshtrimet e peticionit.
“Këtu janë nënshkrues komuna Elbasan. Ata as nuk janë qytetarë të Kosovës. Nuk po dyshojmë që nuk janë 10 mijë nënshkrime, por si mund të jenë nënshkrues ata? Ne nuk po kërkojmë me formu komision punues për verifikim të nënshkrimeve, po besojmë që janë 10 mijë e 20 mijë,” tha ajo.
Por Haskuka tha se askush nuk duhet të dyshojë në nënshkrimet e peticionit.
“Ky peticion me çfarëdo kushte e skanimi kalon 10 mijëshin. Nuk duhet të dyshojmë ne validitetin e tij”, deklaroi Haskuka.
Nënshkrimet e 10 mijë qytetarëve kërkohen me Kushtetutën e Kosovës që një çështje e caktuar të diskutohet në Kuvend.
Pas këtij debati, me 5 vota për, 2 kundër e një abstenim, anëtarët e komisionit u pajtuan që seanca për Rastin Dehari të mbahet në dhjetor, por për ditën e mbajtjes së saj të koordinohen me kryesinë.
“Si përfundim me kërku prej kryesisë që kjo datë është e papranueshme për ne, por nëse ata vendosin për datën 13 ne duhet të zgjedhim me anulu vizitën studimore, ose jo,” përfundoi Kajtazi.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione nisi me më shumë se gjysmë ore vonesë, e për këtë u ankua deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.
“Ka 30 minuta qe po presim, po i presin dy partitë më të mëdha [PDK e LDK] që nuk janë të gatshëm me ardhë e me fillu mbledhjen. Është ni shqetësim, s’ka arsye, po ne po presim”, tha Haxhiu gjatë kohës së pritjes.
Në mbledhje u vonuan kryetarja e komisionit Lirie Kajtazi dhe anëtaret Salie Mustafa e Mexhide Mjaku-Topalli të gjitha nga partitë e koalicionit qeveritar.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor derisa ndodhej në paraburgim si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Raporti i Autopsisë konstatoi se Dehari bëri vetëvrasje.