Kuvendi i Kosovës dhe i Shqipërisë do të mbajnë sot seancë të përbashkët në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me rastin e kësaj seance, do të ndërpritet qarkullimi i përkohshëm i trafikut në disa segmente rrugore.
Në komunikatën e lëshuar nga Policia thuhet se ndërprerja e qarkullimit do të bëhet në afërsi të objekteve shtetërore, aty ku pritet të kalojnë eskortat.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortave zyrtare, nën përcjellje dhe sigurim, sipas itinerarit të lëvizjeve si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojnë eskortat) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, shkruhet në komunikatë.