Site icon PrishtinaPress

Seanca e jashtëzakonshme/ Kuvendi Komunal i Rahovecit bëhet me kryesues të ri

Kuvendi Komunal i Rahovecit ka zgjedhur Arbër Zenunin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si kryesues të ri, pak ditë pas shkarkimit nga kjo pozitë të Defrim Kafexhiut të Lëvizjes Vetëvendosje.

Zenuni mori 17 vota nga 18 asamblistë, ndërsa një votë ishte e pavlefshme. Votimi u bojkotua nga këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Para procesit të votimit, ish-kryesuesi Defrim Kafexhiu, deklaroi se është e pakuptueshme nxitimi për të zgjedhur kryesuesin e ri duke qenë se vendimi për të shkarkuar atë ende nuk ka hyrë në fuqi.

Sipas tij, vendimi për shkarkimin e tij ende nuk është dërguar as në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ku kjo ministri ka afat 15 ditë për të shqyrtuar ligjshmërinë e aktit të Kuvendit Komunal.

Mirëpo, zyrtari ligjor i Kuvendit Komunal të Rahovecit ka siguruar se janë konsultuar me Ministrinë e Administrimit dhe gjithçka është në rregull.

Shefi i asamblistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Hasan Përboqi, duke propozuar emrin e Zenunit për kryesues të ri, tha se Arbëri do t’i jap shumë Rahovecit.

Pas zgjedhjes së tij, Zenuni tha se do të punojë ngushtë me të gjithë subjektet për të garantuar një dinamikë të re në punën e Kuvendit Komunal të Rahovecit.

Pas zgjedhjes së kryesuesit, Kuvendi Komunal i Rahovecit mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme

Exit mobile version