Site icon PrishtinaPress

Seanca dëgjimore për termocentralin ‘Kosova e Re’ në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë pret formimin e qeverisë

Është shtyrë për datën 30 prill, seanca dëgjimore në të cilën pritet që Qeveria e Kosovës të përballet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, lidhur me procedurat e zbatuara për projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”.

Në fund të vitit të kaluar, përmes një njoftimi publik, Sekretariati ka bërë të ditur se ka zbuluar disa masa të paligjshme në marrëveshjen komerciale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global, andaj edhe ishte kërkuar kjo seancë dëgjimore.

Fillimisht, seanca ishte caktuar të mbahet më datën 17 janar të këtij viti, por për shkak të mosformimit të Qeverisë se re, është kërkuar që seanca të shtyhet për datën 30 prill, thonë zyrtarë të Qeverisë në largim të Kosovës.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është mekanizëm mbikëqyrës për zbatimin e marrëveshjes për energji që është nënshkruar në Athinë, i quajtur Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Zyrtarë të qeverisë në largim, të cilët janë nënshkrues të marrëveshjes me kompaninë amerikane Contour Global, thonë se nuk është zbatuar asnjë masë joligjore gjatë nënshkrimit të marrëveshjes. Përderisa përfaqësues të shoqërisë civile, theksojnë se Qeveria e Kosovës, nuk ka zbatuar ligjet në fuqi.

Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se qeveria ka argumente që vërtetojnë se gjatë nënshkrimit të marrëveshjes nuk kishte shkelje të ligjeve.

“Ne kemi fakte, kemi analiza shumë të mira të bëra nga ekspertë të huaj lidhur me dyshimin për ofrimin e ndihmës shtetërore (kompanisë fituese), informata këto që i ka edhe Sekretariati i Komitetit të Energjisë. Mirëpo, prezenca e qeverisë është e nevojshme gjatë paraqitjes se këtyre fakteve dhe argumenteve që duhet të bëhen në Sekretariat”, tha Lluka.

Në bazë të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës jep një garanci shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por që si i tillë ky garancion kërkon dy të tretën e votave të deputetëve të Kosovës.

Kontrata me Contour Global është nënshkruar nga Qeveria në largim e Kosovës. Por, kjo e fundit, sipas ministrit Lluka ka kërkuar të shtyhet afati i mbajtjes së seancës, pasi që aty, nënvizon ai, duhet të jetë qeveria e re dhe jo ajo në detyrë.

Përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht e kanë cilësuar të dëmshme këtë kontratë.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), shprehet se kontrata e nënshkruar në mes Qeverisë se Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global është në kundërshtim të plotë me ligjet në Kosovë.

“Kontrata është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me legjislacionin vendor në fushën e ndihmës shtetërore si dhe atë të mbrojtjes së konkurrencës, pasi e vënë një kompani private në një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm ndaj kompanive të tjera, për shkak të dispozitave të përcaktuara në kontratë, siç është garantimi i çmimit, garantimi i lëndës se parë dhe garantimi i blerjes së gjithë energjisë që prodhohet, etj.”, tha Abazi për Radion Evropa e Lirë.

Në njoftimin e Sekretariatit thuhet se, “pagesat për energjinë dhe disponueshmërinë mbi 20 vjet në bazë të marrëveshjes për blerjen e energjisë, shitjen dhe transferimin e vendit ku do të ndërtohet termocentrali, ishin nën vlerën e tregut. Këto masa nuk janë njoftuar tek autoritetet si ndihmë shtetërore dhe për këtë arsye përbëjnë ndihmë të paligjshme shtetërore”.

Por, ministri Lluka thotë se në kohën kur është nënshkruar marrëveshja, Kosova nuk kishte institucione të krijuara për ndihmë shtetërore, konkretisht Komisionin Parlamentar për Ndihmë Shtetërore.

“Komisioni për Ndihmë Shtetërore është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2019. Tash kemi një komision të tillë dhe normalisht që ne do të bashkëpunojmë më ta për të siguruar që edhe kjo gjë të kalojë përmes këtij komisioni parlamentar”, tha ai.

Në anën tjetër, Abazi pranon se në kohën e nënshkrimit nuk ka ekzistuar Komisioni për ndihmë shtetërore, por ka qenë në fuqi Ligji për ndihmë shtetërore.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global.

Ndërkaq, në muajin mars të vitit të kaluar, në Kuvendin e Kosovës, me shumicë votash janë votuar anëtarët e Komisionit për ndihmë shtetërore, komisioni ky që ushtron detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Ndihmë Shtetërore.

Projekti i termocentralit “Kosova e Re” ka filluar për më gjatë se një dekadë, por që ende nuk ka filluar së ndërtuari. Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë, do të kushtojë 1.3 miliard euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht kanë kërkuar që të ndërpritet ky projekt, kurse kritikat janë shpeshtuar nga viti 2018, kur Banka Botërore, ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill.

Exit mobile version