Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Kyle Scott, ka thënë se Kosova duhet të heq taksën ndaj produkteve të Serbisë e Bosnje Hercegovinës, ndërkohë për Beogradin thotë se duhet të ndërmarrë disa hapa për të shkuar drejt rifillimit të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet dy palëve, shkruan Gazeta Express.
Scott ka thënë se pas zgjedhjeve të parakohshme më 6 tetor pret që qeveria e re që do të drejtojë Kosovën të jetë e gatshme të zhbllokoj dialogun, i cili është stopuar që nga nëntori i vitit të kaluar, si pasojë e taksës 100 për qind si shenjë hakmarrje për ofensivën diplomatike të Beogradit kundër anëtarësimit në INTERPOL.
“Është e qartë që për Serbinë është një problem se çfarë do të marrë vendi nga një kompromis, por jam i bindur se qeveria dhe presidenti Vuçiq janë të gatshëm për të kërkuar një kompromis”, ka thënë Scott për N1, transmeton Gazeta Express.
Scott ka pasur ndërkohë edhe kritika për veprimet e institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, për të cilat ai thotë se kanë bllokuar procesin e negociatave që nga nëntori i vitit 2018.
“Unë kam qenë optimist se dialogu po ecte në drejtimin e duhur, por që nga vjeshta e fundit procesi morri rrugë të gabuar. Fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, taksa e Prishtinës, e më pas edhe vendimi i Qeverisë së Serbisë për të mos u kthyer në dialog. Ky ka qenë një cikël negativ. Është koha që të qetësohemi dhe të përqendrohemi për interesat afatgjate të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ambasadori.
Scott ndërkohë ka thënë se në skenarin më optimist të mundshëm, SHBA’ja ka pritje që dialogu të rinis para fushatës zgjedhore në Serbi.
“Në mund të presim rifillimin e dialogut para fushatës zgjedhore në Serbi”, ka thënë ambasadori amerikan, transmeton Gazeta Express.
Teksa ka folur për raportet SHBA-Kosovë, Scott ka thënë se sigurisht që Washingtoni ka një lloj ndikimi në Prishtinë, por thotë që SHBA’të nuk mund të vendosin për fatin e Kosovës.
“Përkundër presionit të SHBA’së dhe Evropës, dinamika e brendshme politike në Kosovë shkon në favor të taksës, dhe ajo masë është shumë e popullarizuar”, ka shtuar ai .
Scott ndërkohë ka folur edhe për insistimin e Kosovës që të marrë njohjen nga Beogradi, ndërkohë thotë se çdo përpjekje e Serbisë për të vënë në dyshim pavarësinë e Kosovës do të rritë rezistencën e Kosovës edhe më shumë.
Për emërimin e Matthew Palmer, Scott ka thënë se është një vendim që tregon se SHBA’ja është e interesuar të qëndrojë në rajon dhe për të ruajtur një rol të rëndësishëm.
Ai gjithashtu ka kritikuar të dy palët që nuk kanë përmbushur detyrimet që dalin nga Marrëveshja e vitit 2013, duke se Prishtina dhe Beogradi duhet të përqendrohen në përmbushjen e tyre në mënyrë që të ketë përparim./GazetaExpress/