Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje për ndihmë të mëtejshme të SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën ndërsa u nis të mërkurën për një vizitë në Uashington, duke deklaruar se ishte koha për t’i dërguar presidentit rus Vladimir Putin një “sinjal shumë të qartë” se Perëndimi nuk do të heqë dorë nga mbështetja e Kievit.
Scholz do të takohet me anëtarët e Kongresit më vonë gjatë ditës edhe Presidentin Joe Biden të premten. Vizita e tij vjen pasi ndihma e kohës së luftës për Ukrainën mbeti e varur në Senat pasi republikanët bllokuan një paketë kufitare dypartiake që ishte e lidhur me financimin, më pas u përpoqën të bashkoheshin rreth një plani për të shpëtuar ndihmën për Kievin, raporton Associated Press.
Scholz nuk e përmendi këtë drejtpërdrejt në një deklaratë për gazetarët para largimit të tij dhe nuk pranoi asnjë pyetje. Por ai tha se një çështje kryesore tani është s”si Evropa, por edhe Shtetet e Bashkuara, mund të përjetësojnë mbështetjen për Ukrainën”.
“Ajo që është zotuar deri më tani në Evropë dhe ajo që është zotuar nga vendimet e Kongresit Amerikan nuk është ende e mjaftueshme”, tha ai. “Pra, ne duhet të arrijmë një mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë më shumë”.
Një ditë më parë, Klan Kosova ka raportuar ekskluzivisht për vizitën e kancelarit gjerman në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga zyra e Scholz, kanë konfirmuar për televizionin takimin e tij me presidentin amerikan Joe Biden duke mos mohuar apo pohuar se në mesin e temave të diskutimit të dy liderëve botërorë do të jetë situata në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor si dhe tensionet dhe procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.