Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel sot për takime me liderët e Bashkimit Evropian.
Që të dy kanë konfirmuar pjesëmarrjen, derisa një takim ballë për ballë mes Kurtit e Vuçiqit nuk pritet të ketë, konfirmoi dje Bashkimi Evropian, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sot Kurti dhe Vuçiq pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
I pari që do të nis këto takime është kryeministri Albin Kurti. Kurti do të nis takimin me krerët evropianë rreth orës 14:00
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Takimet janë paraparë të nisin në orën 14:00. Së pari kryeministri Kurti takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, dhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë”, ka thënë Stano.
Ai ka bërë të ditur se pas Kurtit, rreth orës 14:30 do të nis takimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e BE-së dhe liderët gjermanë, francez e italianë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha dje se Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të riangazhohen menjëherë dhe pa kushte në dialog, të fillojnë punën për deeskalim dhe të kthehen menjëherë dhe pa kushte në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga dialogu.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.
Kryeministri Kurti është dakorduar që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.
Siç raportoi mbrëmë Gazeta Online Reporteri.net, “merre ose leje” pritet ta kenë sot në tavolinën e Brukselit “propozimin modern evropian” për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandër Vuciq, gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytetin evropian.
Gazet Online Reporteri.net merr vesh, se dy ditë pas afatit që Kryeministri Kurti, sikurse Vuciqi, kanë pasur për t’i dorëzuar komentet për “propozimin modern” të BE’së, shefi i ekzekutivit kosovar nesër në Bruksel do t’i duhet “ta marrë ose do ta lejë” njërin nga 15 modelet e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që qysh nga fundjava i janë lënë në zyrën e tij.
Po ashtu, një burim i gazetës online Reporteri.net, i afërt me procesin, i ka pohuar gazetës se për Qeverinë e Kosovës, nga 15 modelet “moderne” të BE’së për Asociacionit, më i pranueshmi për palën kosovare për t’u hartuar si statut i ASK’së është ai sipas modelit “vetmenaxhues” të pakicave gjermane në Belgjikën lindore, në disa raste i kombinuar edhe me modelin e Finlandës për të drejtat e suedezëve.
Përveç, çështjes “më të nxehtë” për Asosacionin, Kryeministri Kurti nesër në Bruksel do t’i duhet të jap një zgjidhje edhe për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe, sikurse do t’i kërkohet t’i kthehet implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. /Reporteri.net/