Home Botë Scholz jep lajme pozitive për ata që duan të marrin nënshtetësinë gjermane

Scholz jep lajme pozitive për ata që duan të marrin nënshtetësinë gjermane

Kancelari Olaf Scholz në formatin e përjavshëm në internet “Kanzler kompakt” u shpreh për „rregulla më të mira për nënshtetësinë gjermane“.

Kancelari Olaf Scholz theksoi, se Gjermania ka nevojë për rregullim më të mirë të ligjit për nënshtetësinë. Scholz tha, se gratë e burrat e po ashtu edhe fëmijët që kanë ardhur dekadat e fundit në Gjermani “kanë kontribuuar shumë, që ekonomia të jetë kaq e fuqishme, sa është sot”. Disa nga këta njerëz jetojnë “prej një kohe shumë, shumë të gjatë” në Gjermani dhe kanë tashmë këtu edhe fëmijë e nipër e mbesa. Ndaj është “shumë mirë”, nëse ata vendosin të aplikojnë për marrjen e nënshtetësisë gjermane.

Reformimi i ligjit për dhënien e nënshtetësisë është planifikuar nga koalicioni qeverisës mes socialdemokratëve, ekologjistëve dhe liberal-demokratëve  në marrëveshjen e koalicionit. Mbi këtë bazëministrja e Brendshme Nancy Faeser deklaroi të premten (25.11) reformën e ligjit të nënshtetësisë. Të huajat dhe të huajt që jetojnë në Gjermani në të ardhmen mund të marrin një pasaportë gjermane pas pesë vjetësh të qendrimit në vend. Për familjarët e brezit të të Gastarbeiter parashikohet të zbuten pengesat për nënshtetësinë. Gjithashtu do të zgjerohen mundësitë për mbajtjen e disa nënshtetësive.

Reforma e parashikuar për nënshtetësinë është lëvduar nga presidenti i Instituti Gjerman për Studimet Ekonomike në Berlin, DIW, Marcel Fratzscher. “Problemi i Gjermanisë me forcat e kualifikuara të punës do të ashpërsohet edhe më shumë nga demografia dhe konkurrenca për tërheqjen e kokave më të mençura, në rast se politika nuk vepron me më shumë vendosmëri se deri tani.” Një perspektivë e qartë për nënshtetësinë është një element i rëndësishëm, për ta bërë Gjermaninë më tërheqëse për punonjës të kualifikuar, tha Fratzscher për gazetën “Handelsblatt”.

Ndërsa unioni kristioandemokrat-kristiansocial në opozitë e kritikoi ashpër planin e reformimit të këtij ligji. Zëdhënësi i grupit parlamentar të kristiansocialëvë në Bavari Alexander Dobrindt tërhoqi vëmendjen, se me këtë nënshtetësia gjermane po “zhvleftësohet”. Sipas tij “Zhvleftësimi i nënshtetësisë nuk nxit integrimin, por të kundërtën duke shtuar efektet joshëse për migracionin ilegal.”

Kryetari i bashkësisë turke në Gjermani, Gökay Sofuoglu, e përshëndeti këtë reformë të planifikuar. “E drejta gjermane për nënshtetësinë nuk i përgjigjet më realotetit të ditëve tona; ajo duhet reformuar që në themel”, i tha ai rrjetit redkasional të shtypit Redaktionsnetzwerk Deutschland./Prishtinapress/

Exit mobile version