Site icon PrishtinaPress

SBASHK-u kërkon që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën të mos pensionohen, shkaku i mësimit online

SBASHK-u i është drejtuar Ministres në detyrë të MASHTI-it, Hykmete Bajrami me kërkesën për të nxjerrë një vendim që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën mos të pensionohen deri në përfundim të procesit të mësimit nga larg duke i ofruar shumë argumente që arsyetojnë këtë kërkesë.

“SBASHK-u është duke vazhduar me angazhimet dhe në bashkëbisedë nga larg me anëtarësinë kudo në Kosovë po përcjell me vëmendje rrjedhën e procesit mësimor nga larg dhe po mbështet e po inkurajon ata që të dëshmohen , si dikur në vitet e okupimit edhe tani në këtë situatë të vështirësuar, në shërbim të arsimit dhe edukimit të brezave”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u thekson se nga takimet e vazhdueshme nga larg me kolegët nga komunat e Kosovës është vërejtur se procesi mësimor nga larg është duke u zhvilluar me sukses nga punëtorët e arsimit dhe po funksionon mirë edhe trekëndëshi i famshëm mësimdhënës- nxënës- prindër.

“E nderuara Ministre gëzon fakti se punëtorët e arsimit janë të përkushtuar dhe fatmirësisht kanë arritur shpejt ta përvetësojnë mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor nga larg duke qenë të mbështetur e duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm nga larg me nxënësit dhe prindërit. Me qëllim që procesi mësimor që po zhvillohet nga larg të ketë rrjedhë të mbarë Ju drejtohemi me lutjen që Ju e nderura Ministre Bajrami të angazhoheni dhe Qeveria të nxjerrë një vendim që punëtorët e arsimit që kanë arritur moshën mos të pensionohen deri në përfundim të procesit mësimor nga larg, po të vazhdojnë me punën dhe angazhimin me nxënësit e tyre.

Këtë lutje e bazojmë në faktin se ata kanë përvetësuar mirë mësimin nga larg dhe janë në komunikim me nxënësit dhe prindërit dhe janë të njohur për njëri-tjetrin . Nëse ata pensionohen do të pengohet procesi mësimor nga larg ngase në këto rrethana të reja procesi i rekrutimit të kuadrove të reja është tepër i vështirë dhe do të humbeshin ditë të tëra në pritje të afateve të konkursit dhe po ashtu do të kishte probleme në organizimin e punës së paneleve të intervistimit me shkrim e me gojë për kandidatët që konkurrojnë.

Aq më shumë, kuadrot e reja do ta kishin tepër të vështirë të angazhoheshin suksesshëm në procesin mësimor nga larg ngase do të ishin të panjohur për kolegët në atë shkollë e aq më shumë për nxënësit me të cilët do të duhej ta zhvillonin procesin mësimor. Po ashtu ata do ta kishin tepër të vështirë të krijojnë mundësi për komunikim me prindërit . Gjithë këto do të krijonin probleme të mëdha për ta në zhvillimin e procesit mësimor nga larg “, ka argumentuar SBASHK-u në kërkesën drejtuar Ministres në detyrë, Bajrami dhe Qeverisë.

Exit mobile version