Site icon PrishtinaPress

SBASHK synon t’i mbledhë 10 mijë nënshkrime për ndryshimin e ligjit për pensionet

SBASHK njofton se ka mbajtur takim me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe kryetarin e SUSHK-ut.

Kryetari Rrahman Jasharaj informoi pjesëmarrësit për aktivitetet e fundit dhe që u vendos për formimin e një komisioni për hartimin e Draft-Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës, e cila pritet të përfundojë brenda një jave dhe të dërgohet për diskutim publik e pastaj të bëjë draftin final për ta dorëzuar në MASHTI, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Më tej mbëhet e ditur se u vendos unanimisht që SBASHK të nisë një iniciativë qytetare për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, duke synuar mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve për ta dorëzuar në Parlament për procedurat gjegjëse dhe për ndryshimet, duke kthyer pikën 6 të nenit 8 të Ligjit bazik.

Nga takimi doli kërkesa që t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë për ngritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30% me rishikim të buxhetit të vitit 2024 ose me vendim të qeverisë, por kjo ngritje të fillojë së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024.

“Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën brengosje të thellë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, sidomos për pagesën e përvojës së punës në 15-vjetëshin e parë, por ende të paguhen me 0.25%, edhe pse Kushtetuesja ka konstatuar që kjo është shkelje kushtetuese dhe me këtë që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave, të punësuarit dëmtohen me rreth 4% të pagës”.

“Kërkojmë nga qeveria që këtë vendim të fillojë ta implementojë në mënyrë retroaktive nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave”, thuhet në kumtesë.

Tutje në takim u vendos që gjatë javës së ardhshme të mbahen kuvendet e sindikatave komunale dhe universiteteve për të diskutuar me anëtarësinë lidhur me këto çështje të ngritura dhe për të marrë mendimin e anëtarësisë për llojet e veprimeve sindikale në rast të mosrealizimit të kërkesave të cekura, gjegjësisht mosfillimit të dialogut për realizimin e këtyre kërkesave.

“Të gjitha këto takime duhet të mbahen para mbajtjes së Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që do të mbahet në fund të shtatorit, ku do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm sindikal”, përfundon kumtesën SBASHK-u.

Exit mobile version