Site icon PrishtinaPress

SBASHK pret orën 16:00 për pagat, nëse s’dalin ndjekin rrugët ligjore

Ministria e Financave ka njoftuar se do t’i procedojë sot pagat e mësimdhënësve, nëse i rikonfirmohen listat, marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga MASHTI që parasheh zëvendësimin e orëve të muajit shtator.

Ndërkaq, Sindikata e Arsimit ka bërë të ditur për Radio Kosovën se do të presin deri në orën 16:00, dhe nëse deri atëherë pagat nuk ekzekutohen, do të ndjekin rrugët ligjore.

Ministria e Financave ka njoftuar se ka kërkuar edhe njëherë nga organizatat buxhetore që t’i rikonfirmojnë listat e pagave, marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga Ministria e Arsimit, që parasheh zëvendësimin e orëve të muajit shtator.

Sipas njoftimit, nëse kjo kryhet dhe pas rikonfirmimit të listave, pagat e mësimdhënësve do të procedohen gjatë ditës së sotme.

Për këtë çështje, nënkryetarja e Sindikatës se Arsimit, Vjollca Shala, tha se do të presin sot deri në orën 16:00 që pagat të ekzekutohen dhe në rast se nuk do të ndodhë, atëherë do të ndjekin rrugët ligjore.“Ne do të presim edhe gjatë ditës se sotme deri në orën 16:00 që Qeveria e Kosovës të bëjë ekzekutimin e pagave për të gjithë punëtoret e arsimit”, tha Shala.

“Ndryshe ne kemi bërë kërkesë të Ministria e Financave dhe te drejtori i Thesarit të Shtetit për të marrë përgjigje pse nuk janë bërë ende këto pagesa. Dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë ne do të fillojmë të ndjekim rrugët ligjore”.Ndërkaq, për sa i përket kalendarit shkollor të publikuar nga Ministria e Arsimit, Këshilli i Prindërve ka bërë të ditur se prindërit në mënyrë absolute janë shprehur kundër kompensimit të orëve të humbura të shtunave si pasojë e grevës.

Këshilli, përmes një deklarate të lëshuar sot, ka thënë se mësimi të shtunave e dëmton procesin mësimor për ditët e tjera të javës. Sipas këshillit, prindërit e as fëmijët nuk kanë asnjë përgjegjësi për orët e humbura, prandaj as nuk kanë përse të mbajnë barrë shtesë e të privohen nga jeta jashtëshkollore për t’i kompensuar ato.

Exit mobile version