Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka treguar se marrëdhëniet qeveri-komunë janë shumë të këqija.
Ai ka thënë se ka tendenca të vazhdueshme të qeverisë që të përzihet në çështjet e brendshme të komunave. Rasti më i rëndë sipas tij është tendenca e ministri të Financave, Hekuran Murati që t’ua marr të hyrat vetanake të pashpenzuara komunave, veprim ky i cili sipas tij nuk ka asnjë bazë ligjore.
Ibrahimi shpjegon se pas pezullimit të të hyrave vetanake nga ana e ministrit Murati, është komplet në vullnetin e tij se a do t’ua rikthejë komunave këto të hyra apo do t’i lë ato pa asnjë invenstim kapital.
“Tash për tash nuk ka ndonjë vullnet të ministrit Murati që t’ua rikthej rreth 37 milion euro të hyrave vetanake të pashpenzuara komunave dhe po mos të ishte reagimi i Asociacionit të Komunave, komunave do t’ua merrnin rreth 100 milion euro, me të dyja këmbët do të shkelej ligji për financat publike. Këto mjete qeveria nuk ka drejt t’i shpenzoj dhe ato kanë mbetur të ngrira, qeveria do të duhej të brengoset shumë për këtë çështje sepse të hyrat vetanake përkthehen në investime kapitale në komuna dhe qytetarët e këtyre komunave nuk do t’i shohin këto investime nëse u merren këto të hyra”, ka pohuar drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
Ai ka deklaruar se komunave nuk e është ndarë asnjë cent për investime kapitale, për investime të reja, ndërkohë që kryetarët e këtyre komunave komplet projeksionet e veta i kanë në të hyratë vetanake.