Manuel Sarrazin, i ngarkuari i posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor thotë se ndërmjetësi i ri i dërguar nga Bashkimi Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sörensen “me siguri do të vendos thekse të reja në dialog”.
Ai i tha Deutsche Welles në një intervistë se Gjermania ka detyrë thelbësore për ta mbështetur ndërmjetësin për zgjidhjet dhe se Sörensen është “personi i duhur” për këtë.
“Peter Sörensen, i ngarkuari i ri posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta çojë përpara këtë proces. Bisedimet e para, që kemi zhvilluar, na kanë krijuar një përshtypje mjaft të mirë për të si person. Ai me siguri do të vendosë thekse të reja në dialog. Njëkohësisht Sörensen me siguri do të përpiqet, që me një punë këmbëngulëse profesionalisht të arrijë afrimin ndërmjet dy vendeve”, tha ai.
“Në të kaluarën ka ndodhur, që Gjermania, por edhe unë vet, kishim një detyrë thelbësore për të mbështetur punën e institucioneve europiane dhe të kryenegociatorit europian. Ne javët e muajt e ardhshëm do të bashkëpunojmë ngushtë në këtë drejtim. Kjo vlen dhe për qeverinë e ardhshme federale. Gjermania e mbështet qasjen europiane në dialog si dhe qasjen e personave që ndërveprojnë në të”.
“Shpresoj, që edhe atje tani të nisë puna thelbësore. Tani është e rëndësishme të punohet fort për zgjidhjet. Zoti Sörensen është personi i duhur për këtë detyrë”, tha Sarrazin.
Ai tha se duhet pritur “se si do të jenë zhvillimet e mëtejshme politike në Republikën e Kosovës”.
“Do të dëshironim që të krijohet shpejt qeveria e re dhe ajo të angazhohet në mënyrë aktive në dialog. Këtë e presim edhe nga Serbia”, tha Sarrazin por shtoi se “nuk jemi ne që vendosim, se si do të krijohet qeveria në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim që e merr Kosova”
I pyetur për kthesën në shumë çështje të politikës së sigurisë dhe gjeostrategjisë me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Sarrazin tha se Europa duhet të shohë se ku mund të përmirësohet.
“Fillimisht ne duhet të vlerësojmë shumë seriozisht, që me sa duket SHBA po tërhiqet nga financimi i organizatave të shoqërisë civile. Këto institucione, që punojnë për shoqërinë, sipas mendimit tim, janë shtylla bazë për shtegun e transformimit të vendeve në drejtim të BE-së. Do të jetë e vështirë, po të humbasë tërësisht ky angazhim. Eshtë ndoshta edhe një shans, që disa gjëra të bëhen më mirë, që Europa të shohë, se ku strukturat e saj janë të ndërlikuara, burokratike pikërisht në mbështetjen e proceseve të transformimit dhe ku ne mund të përmirësohemi edhe më shumë”.
Kushdo në Ballkanin Perëndimor, ai tha se “duhet ta dijë, që bukën e përditshme e përfiton nga tregtia me BE-në”.
“Receta e suksesit për Ballkanin Perëndimor konsiston në integrimin në tregun e brendshëm europian. Afrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është në interes reciprok. Mendoj, se ka premisa të mira, nëse të gjithë ndajnë këtë vlerësim. Kjo ne si Europë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor do të na ndihmonte që të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj ndryshimeve gjeopolitike në botë”.
Qeveria e re gjermane, sipas Sarrazin duhet t’i ndjekë të njëjtat gjurmë të qeverisë aktuale lidhur me Ballkanin Perëndimor, “duke e marrë stafetën dhe bashkë me britanikët të vendosi impulse të reja”.
“E rëndësishme është të theksoj këtu, se Procesi i Berlinit konsiston në marrëveshjet e sukseshme multilaterale të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtu natyrisht synohet edhe avancimi i mëtejshëm i hapësirës së përbashkët ekonomike dhe integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi duhet të jetë që këto vende të afrohen edhe më shumë me BE-në, të përgatiten edhe më tej për anëtarësimin në BE dhe të arrijnë hapjen drejt Europës. Edhe për Britaninë e Madhe do të jetë një detyrë e rëndësishme, që ta formësojë shumëllojshmërinë e Procesit të Berlinit bashkë me vendet e rajonit”, tha ai.