Santi Cazorla mund të rikthehet sërish në Spanjë.
Pas gjashtë sezoneve të kaluara te Arsenali, mesfushori u rikthye në Spanjë në vitin 2018, kur nënshkroi me Villarrealin si futbollist i lirë.
Pavarësisht moshës së tij, Cazorla përsëri ishte një nga futbollistët më të dalluar në La Liga.
Pas dy sezoneve te Villarreali, spanjolli nënshkroi me klubin nga Katari, Al-Sadd, sërish si futbollist i lirë.
Cazorla është duke kaluar sezonin e fundit të kontratës me Al-Sadd, e cila skadon më 30 qershor 2023. Teksa kontrata e tij po shkon drejt fundit, zërat për rikthimin e lavdishëm në Spanjë po rriten.
Sipas “Todofichajes”, Real Oviedo e dëshiron rikthimin e tij në verë. Edhe 38-vjeçari thuhet se dëshiron të pensionohet te klubi i tij i fëmijërisë.
Ish-mesfushori i Malagas thuhet se është i gatshëm të ulë ndjeshëm pagën e tij në mënyrë që të luajë në “Nuevo Carlos Tartiere” për së paku një sezon.