Site icon PrishtinaPress

Sanksionet e BE-së e ‘zgjojnë opozitën’ – i bojkoton seancat dhe kërkon rrëzimin e Albin Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar është rrëzimi i Albin Kurtit nga pushteti, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk merr pjesë në seanca derisa sanksionet e BE-së për shtetin e Kosovës të jenë në fuqi.

Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në vend, është rrëzimi i Qeverisë së Albin Kurti.

Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Shpreh shqetësimin që Qeveria dhe kjo mazhorancë tentoj ta mbajë të feshur komunikimin që i kishte bërë BE-ja nga data 28 qershor që këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në”.

“Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhm3en tonë euroatlantike, e dëmtojnë raportin tonë me secilin shtet të BE-së, konsideroj që si opozitë tashmë jemi në prag të një udhëkryqi ku do të na imponohet të marrim vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, tha Tahiri.

Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se edhe Kuvendi është i dështuar.

“Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie”.

“Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.

Ndërsa, Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se partia të cilën e përfaqëson nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet e konfirmuara nga Bashkimi Evropian.

Gashi ka thënë se njëjtë do të vazhdojë derisa të hiqen sanksionet e përkohshme.

Ai ka thënë se LDK-ja konsideron se Kosova gjendet para një situate jashtëzakonisht të rrezikshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pjesë në mbledhjen e Kryesisë për shkak të situatës së krijuar lidhur me sanksionet e konfirmuara nga BE-ja. Ne si Grup Parlamentar vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne jemi para një situate e cila është jashtëzakonisht ë rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se për masat e tjera do të vendosin në mbledhjen e Kryesisë së partisë që do të mbahet së shpejti.

Derisa kryeministri Albin Kurti sërish i ka quajtur të përkohshme masat e paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke u shprehur se këto masa janë të padrejta.

Nga Podujeva, ai ka thënë se disa masa edhe kanë filluar që të zbatohet duke përmendur anulimin e vizitave.

“Janë paralajmëruar masa të cilat disa edhe javën zbatuar disa prej tyre. Bëhet fjalë edhe për anulim të vizitave, masat janë të padrejta për bindjen time ajo çfarë ne duhet të bëjmë është ajo që ti kalojmë ato kredi e grande në vlere prej 149 milionë euro kredi dhe grade që nuk kalojën pa 2/3 në Kuvend. Ne kemi ngujim aktual që mund ta kalojmë bashkë”.

“Me BE jam në kontakt të përditshëm, dje kam biseduar me Borrellin edhe me ndërmjetësin Lajçak jam interesuar edhe për deskalim edhe për normalizim që nënkupton sundim të ligjit, ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha Kurti.

Pas sanksioneve të vendosura nga BE, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se këtë javë do të vijë në Kosovë.

Exit mobile version