2.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Samiti për Demokracinë, fjalimi i presidentit Biden dhe zotimet e presidentes Osmani

Më 9 dhe 10 po mbahet Samiti për Demokracinë organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po marrin pjesë mbi 100 liderë botëror, zyrtarë të shoqërisë civile dhe sektorit privat.

Samiti po mbahet online për shkak të pandemisë, ndërkaq në fokus është lufta kundër korrupsionit në nivelin global, mbrojtja ndaj aktiviteteve autoritare dhe promovimi i të drejtave të njeriut.

Në këtë samit, presidenti amerikan Joe Biden ka mbajtur një fjalim, ndërsa në ditën e parë të samitit fjalim ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në fjalimin e tij, presidenti Biden theksoi se trendët e demokracisë “gjerësisht janë duke shkuar në drejtimin e gabuar, prandaj, demokracia ka nevojë për kampionë”. Sipas presidentit amerikan, ripërtëritja e demokracisë kërkon “përpjekje të vazhdueshme”.

“Demokracia nuk ndodh aksidentalisht. Ne duhet ta ripërtërijmë në çdo gjeneratë dhe sipas meje, kjo është çështje urgjente për të gjithë ne”, tha Biden.

Çfarë mund të pritet nga Samiti?

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, Biden njoftoi sot krijimin e Iniciativës Presidenciale për Rindërtim Demokratik, një grup i rëndësishëm iniciativash politike për ndihmën e huaj që do të mbështetet dhe monitoron punën e qeverisë amerikane në forcimin e demokracisë.

“Vitin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara planifikojnë të japin 424.4 milionë dollarë për Iniciativën Presidenciale, duke punuar me Kongresin dhe në varësi të disponueshmërisë së fondeve. Këto përpjekje do të përqendrohen në pesë fusha të punës”, tha ai.

Sipas planit, Shtetet e Bashkuara duan të mbështesin mediat e lira dhe të pavarura, të luftojnë korrupsionin, të forcojnë reformat, të avancojnë teknologjinë për demokracinë dhe të mbrojnë zgjedhjet dhe proceset politike të lira dhe të ndershme.

Si do të shpërndahen fondet?

Sipas planit të Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit Biden, Shtetet e Bashkuara duhet të ndajnë deri në 30 milionë dollarë në periudhën e ardhshme për të forcuar mediat e pavarura, përmes USAID-it.

Paratë do të shkojnë për Fondin Ndërkombëtar të Interesit Publik, i cili është krijuar për të përmirësuar qëndrueshmërinë e mediave të pavarura në botë.

Për të mbrojtur punën kryesore të gazetarëve, USAID do të sigurojë deri në 9 milionë dollarë për të mbështetur Fondin për Mbrojtje nga Shpifja, i cili do të ofrojë mbulim të përgjegjësisë për gazetarët e gazetarisë hulumtuese.

Departamenti i Shtetit do të sigurojë deri në 3.5 milionë dollarë për të krijuar një Platformë për mbrojtjen e gazetarë që do të ofrojnë mbështetje ligjore, psikologjike dhe të tjera për gazetarët.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, Shtetet e Bashkuara do t’i japin mbështetje të vazhdueshme “Konsorciumit Global Anti-Korrupsion (GACC)”, të cilit do t’i sigurohen deri në 6 milionë dollarë për të përmirësuar punën e tij.

“Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara shpalosën strategjinë e tyre të parë kundër korrupsionit, e cila ofron një plan për të luftuar korrupsionin brenda dhe jashtë vendit”, tha ai.

Gjithashtu thuhet se USAID do të sigurojë deri në 11.5 milionë dollarë për fillimin e Global Program Accountability, por edhe 17 milionë dollarë për fillimin e Fondit Kundër Korrupsionit në nivel global.

Mbështetje për aktivistët

Gjithashtu, Departamenti i Shtetit i udhëhequr nga Blinken pritet të sigurojë 5 milionë dollarë për të nisur Fondin Global LGBTQI + për Demokraci Gjithëpërfshirëse dhe Fuqizimin.

Sipas planit, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të madhe për aktivistët në mbarë botën në periudhën e ardhshme, kështu që Departamenti i Shtetit do të sigurojë 10 milionë dollarë për një iniciativë që mbështet organizatat e shoqërisë civile.

“USAD do të sigurojë deri në 122 milionë dollarë për të krijuar një partneritet shumëpalësh për organizimin dhe fuqizimin e punëtorëve (M-POWER) që do të ndihmojë punëtorët në mbarë botën të ushtrojnë të drejtat e tyre, të përmirësojnë pagat dhe të forcojnë organizatat e pavarura të punëtorëve”, thuhet në dokument.

Mbrojtja e zgjedhjeve dhe proceseve politike të lira dhe të ndershme

Një nga fokuset e administratës amerikane në periudhën e ardhshme do të jetë mbrojtja e proceseve zgjedhore të lira dhe të ndershme.

Për të forcuar integritetin zgjedhor, USAID do të sigurojë 2.5 milionë dollarë për fillimin e Koalicionit të Integritetit Zgjedhor, i cili do të bashkojë partnerë të shumtë të qeverisë dhe OJQ-ve për të zhvilluar kode dhe parime sjelljeje për të mbrojtur procesin zgjedhor.

“USAID do të sigurojë deri në 17.5 milionë dollarë për krijimin e Fondit Demokratik të Mbrojtjes Zgjedhore. Ky fond do të trajtojë çështje të tilla si siguria kibernetike, manipulimi zgjedhor, dhuna zgjedhore, financimi i paligjshëm i partive dhe çështje të tilla si dezinformimi zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Së fundi, Shtëpia e Bardhë theksoi se Samiti i Demokracisë në SHBA do të sigurojë deri në 55 milionë dollarë për të nisur Partneritetin për Demokraci.

“Ky mekanizëm i ri global do të lejojë qeverinë e SHBA të rrisë ndihmën për qeveritë partnere të orientuara drejt reformave. Departamenti i Shtetit do të sigurojë gjithashtu 10 milionë dollarë për të krijuar Fondin e Rindërtimit Demokratik, i cili do t’i lejojë zyrat e Departamentit të Shtetit të SHBA të përgjigjen kolektivisht dhe të mbështesin partnerë që punojnë për demokratizimin e shoqërisë”, përfundon ai.

Ndërkaq, në ditën e parë të Samitit për Demokracinë fjalim ka mbajtur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Po ju drejtohem si Presidente e Republikës së Kosovës, një nga demokracitë më të reja por edhe më aktive në botë.

Së shpejti, Kosova do të shënojë 14 vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Demokracia është në themelet e shoqërisë sonë, ajo është e rrënjosur thellë në luftën tonë historike për liri dhe të drejtat e njeriut.

Dhe, siç e parashikoi ati ynë themeltar, Presidenti Rugova, Republika jonë mbështetet fuqishëm në tri shtylla: liri, pavarësi, demokraci.

Sot, Kosova vazhdon të përparojë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me tranzicion paqësor të pushtetit, liri të pacenuar të mediave dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut të vulosura në kushtetutën tonë.

Por, Demokracia nuk është kurrë një projekt i përfunduar apo i kufizuar në kohë. Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës”, u shpreh Osmani.

Ajo më tej ka thënë se Kosova do të forcojë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë.

“Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha se do të forcojnë rolin e gruas në shoqëri duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse.

“Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore”.

Presidentja e vendit tha se do ta themelojë një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve.

“Ne nuk duhet ta marrim demokracinë si të mirëqenë dhe duhet ta mbrojmë pa u dorëzuar asnjëherë. Qoftë një vend i madh apo i vogël, ne të gjithë mund të bëjmë një ndryshim, veçanërisht nëse i bashkojmë forcat. Andaj, ne zotohemi së do të punojmë me ju të gjithë për t`i arritur objektivat tona, për t`i ndarë praktikat më të mira, për ta kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për ta promovuar paqen në mbarë botën.

Në këtë frymë, unë do të organizojë një Samit Global për Gratë në Paqe dhe Siguri në vitin 2022 që do të bashkojë liderë nga e gjithë bota”, tha ajo.

“Në betejën mes demokracisë dhe autokracisë, historia na mëson se akomodimi i autokratëve nuk funksionon kurrë. Sot është më shumë se një samit. Është zëri ynë i përbashkët që i refuzon tendencat autokratike dhe zëri ynë i përbashkët në mbrojtje të demokracisë.

Dua të falënderoj Presidentin Biden për lidershipin e tij në këtë përpjekje!

Nga populli më pro-amerikan në botë, faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim!”, është shprehur Osmani.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img