4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Samiti për Demokraci në ShBA, krejt çka tha presidentja Osmani dhe liderët e tjerë botërorë

Udhëheqësit e të paktën njëqind e njëzet vendeve të botës, si dhe përfaqësues të sektorit civil, po marrin pjesë në Samitin për Demokraci – një ngjarje e organizuar nga Shtetet e Bashkuara.

Qëllimi i tubimit të liderëve botërorë, i cili daton në vitin 2021 me iniciativën e Shteteve të Bashkuara, është promovimi i demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Presidenti amerikan Joe Biden tha në samit se SHBA-të janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë në nivel global.

Biden, duke folur gjatë Samitit për Demokraci të organizuar nga Departamenti i Shtetit, theksoi se për këto qëllime është e nevojshme të luftohet korrupsioni dhe të rreshtohen në mbrojtje të irisë së medias, si dhe zgjedhjeve. Ai tregoi se administrata amerikane synon të ndajë 690 milionë dollarë për këtë qëllim në dy vitet e ardhshme.

Me të njëjtin rast në vitin 2021, autoritetet amerikane miratuan më shumë se 400 milionë dollarë.

Presidenti amerikan pretendon se forcimi i demokracisë është një nga sfidat më të mëdha të epokës moderne, shkruan Reporteri

“Mund të theksojmë me krenari se demokracitë në botë po bëhen më të forta, ndërsa autokracitë po humbasin fuqinë. Është suksesi i të gjithëve ne. Qeveritë në mbarë botën, sektori joqeveritar, njerëzit e biznesit, aktivistët dhe sindikatat nuk pranojnë përpjekje për të shkelur të drejtat e tyre. Secili prej nesh mori një vendim të tillë! Bota jonë ka nevojë për këtë, si dhe për të mbajtur të ndezur pishtarin e lirisë për ne dhe brezat që do të vijnë. Ne duhet të vazhdojmë dhe do ta bëjmë”, tha presidenti amerikan – i cili falënderoi Korenë e Jugut për vendimin e saj për të pritur Samitin e ardhshëm të Demokracisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit është objektiv i pushtimit ushtarak rus, tha se rezultati i kohërave sfiduese në të cilat ndodhet bota varet nga shtetet.

Ai theksoi se demokracia në Ukrainë, e cila është objektivi i luftës, është e kërcënuar.

“Përvoja jonë në ruajtjen e lirisë gjatë luftës totale duhet t’u shërbejë të tjerëve. Lufta e ushtarëve ukrainas nuk vendos vetëm fatin e Ukrainës – por të të gjithë njerëzve që jetojnë dhe janë mësuar të jetojnë të lirë. Propagandistët rusë pretendojnë se Perëndimi po lufton kundër Rusisë në territorin e Ukrainës. Megjithatë, në realitet – Rusia tiranike po e mbyt Ukrainën me duart e saj të gjakosura. Raketa, artileri, bomba dhe tanke. Megjithatë, ambiciet e saj nuk mbarojnë me kaq. Rusia ka qenë në luftë me të gjithë ju për një kohë shumë të gjatë. Ne duhet të mbrojmë frymën e demokracisë me forca të përbashkëta”, tha Volodymyr Zelenskiy, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të samitit.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, duke folur në Samitin për Demokraci ka thënë se ata qëndrojnë për liri dhe demokraci.

“Ripërsëris angazhimin tonë për vazhdimin e angazhimit tonë për forcimin e institucioneve, rendit dhe ligjit dhe qeverisjes së mirë”, është shprehur Scholz, duke falënderuar presidentin amerikan Joe Biden për angazhimin e tij të shquar.

Ai në fjalën e tij ka përmendur se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka bërë që bota demokratike të mendoj më tepër për kërcënimet që i qasen.

“Do të jemi gjithmonë me njerëzit anembanë botës të cilët luftojnë për liri dhe të drejta. Jemi dhe do të jemi me Ukrainën për sa të ketë nevojë”, ka shtuar Scholz.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila në këtë samit ka mbajtur fjalim krahas liderëve botërorë si presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se Kosova gjatë vitit të kaluar ka bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit si dhe luftimin e korrupsionit.

Ajo ka thënë se Kosova është duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, “krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike”.

“Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike”.

“Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet. Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar”, është shprehur mes tjerash Osmani.

Osmani ka deklaruar se Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, “dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës”.

“Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë”, ka thënë presidentja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në seancën që u mbajt në kuadër të Samitit për Demokraci i organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka ftuar po ashtu shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

Osmani tha se ato shtete nuk do të fitojnë vetëm një mik, po edhe një aleat të përkushtuar.

“Sot dua të shfrytëzoj rastin që të ju bëj thirrje vendeve mike nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën dhe për ato vende që nuk e kanë njohur ende shtetësinë tonë dhe institucionet tona demokratike, që të ju bashkohen shumicës së vendeve të botës dhe ta bëjnë atë. Nuk do të fitoni vetëm një mik, por një aleat të përkushtuar”- ka deklaruar Osmani./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img